Arkimed Lushaj përfundoi në prangat e policisë këtë të mërkurë, si pjesë e një grupi kriminal që operon në Tiranë, në fushën e trafikimit të narkotikëve dhe krimeve kundër personit.

Në një njoftim zyrtar për mediat, Policia e Shtetit thotë se arrestimi i reperit 31-vjeçar, të njohur si Stresi, erdhi pas një hetimi disa mujor në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës dhe pas vendimit të dhënë nga gjykata këtë të mërkurë, e cila vendosi masën e sigurisë arrest me burg për të.

“Forca e Ligjit në veprim vë në pranga një nga anëtarët e një grupi kriminal që operon në Tiranë në lidhje me aktivitetin e kundraligjshëm me tendencë “Trafikim narkotikësh” dhe “Krimeve kundër personit”. 

Gjykata pranë Shkallës së Parë Tiranë me vendimin nr 1972 datë 17.10.2018, ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” në lidhje me veprën penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”, për Arkimed Lushaj, 31 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë”.

“Ndalimi i këtij shtetasit u bë pas një hetimi disa mujor në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë me metoda speciale të hetimit që janë kryer në funksion të një grupi kriminal që operon në Tiranë në lidhje me aktivitetin e kundraligjshëm me tendencë “Trafikim narkotikësh” dhe “Krimeve kundër personit”,

  thuhet në njoftim

.

Lushaj u arrestua në ambientet e një hoteli në Linzë. Gjatë kontrollit, policia i gjeti atij një pistoletë, 12 fishekë, si dhe një sasi kokaine.

“Këtij shtetasi në ambjentet e një hoteli të ndodhur në vendin e quajtur Linzë gjatë kontrollit të ushtruar i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi e vogël lënde narkotike e dyshuar kokainë, një armë zjarri pistoletë e tipit “Pjetro Beretta” , si dhe 12 fishekë të modelit 7.65 mm”,

 sqaron policia.

Për rastin, autoritetet policore kanë nisur gjithashtu një procedim penal në gjendje të lirë për akuzën e moskallëzimit të krimit, ndaj një vajze 20-vjeçare me iniciale P. Ç.

/tvklan.al