Dhjetëra maturantë protestuan përpara Kryeministrisë pasi nuk kanë mundur të regjistrohen në universitet, ndonëse kanë përfunduar me rezultate të larta, me mesatare mbi 9.

Kanë konkuruar në disa degë, por nuk janë fitues. Thonë se janë penalizuar nga sistemi i paqartë dhe se nuk e dinë se çfarë do të ndodhë me ta.

Kjo situatë ka detyruar Kryeministrin që në mesditë të mbledhë rektorët e universiteteve dhe Ministren e Arsimit për t’i vënë përballë pyetjeve të maturantëve.

Ministria e Arsimit sqaroi se sistemi i përdorur këtë vit ofron më shumë transparencë, meritë dhe autonomi për universitete.

Lëndët me zgjedhje, të caktuara gjatë vitit të parë të gjimnazit janë ato që kanë penalizuar shumë maturantët me mesatare të lartë, për të mos fituar degët e preferuara, pikërisht kjo pikë ka ngjallur debate mes maturantëve dhe Ministres.

Maturantët fitues në raundin e parë, në më shumë se një degë, duhet të zgjedhin të regjistrohen në njërën prej tyre, duke filluar nga data 13 deri në 20 Shtator.

Vendet e lira bosh prej tyre do të plotësohen me të tjerë kandidatë në raundin e dytë, i cili nis në 22 Shtator dhe aplikimi është i njëjtë. Në përfundim do të ketë edhe një raund të tretë, i cili, sipas Ministres së Arsimit, do t’i japë zgjidhje përfundimtare regjistrimit.

Për këtë vit kanë aplikuar për universitet 27 mijë e 600 maturantë. Universitetet publike ofrojnë 25 mijë vende, ndërsa ato private 9 mijë.

Tv Klan