Ambasada: Drejtohuni Venecias për Kushtetuesen

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, sulmoi ashpër Ambasadën amerikane pas një deklarate të selisë diplomatike në rrugën e Elbasanit mbi situatën në Gjykatën Kushtetuese.

Ambasada deklaroi se mbështet idenë që palët t’i drejtohen Komisionin e Venecias, pasi përparimi i nevojshëm në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese ka ngecur për shkak të interpretimeve të ndryshme ligjore të procesit, parashikuar nga Kushtetuta shqiptare dhe ligjet për zbatimin e Reformës në Drejtësi.

“Në mungesë të një institucioni të përshtatshëm ligjor, i cili mund të vendoste mbi interpretimet e kundërta, Shtetet e Bashkuara mbështesin çuarjen e çështjes në Komisionin e Venecias, si një palë e tretë kompetente dhe e paanshme, për opinionin e tij ligjor. Gjithashtu, nxisim palët kundërshtuese që të respektojnë opinionin ligjor të Komisionit të Venecias. Ecja në këtë drejtim do të ishte tërësisht në përputhje me aspiratat europiane të vendit”.

Por Presidenti Meta reagoi duke i quajtur hipokritë diplomatët që sugjerojnë Komisionin e Venecias si zgjidhje të situatës dhe shtoi se ai respekton Kushtetutën dhe jo rregullat e ambasadave, me një referencë të qartë për Ambasadën Amerikane.

“SHBA janë si yll si shpirt se me ata i kemi bërë Kushtetutën. Presidenti është në kushtetutë dhe jo në rregulloren e ndonjë ambasade. Prandaj i kam ftuar të vijnë me ekspertët e tyre dhe t’u tregoj kushtetutën e Shqipërisë. Hipokritët që duan të çojë këto akte në Venecia, ata janë hipokritë, sepse duhet të çonin zgjedhjen e Arta Markut me 69 vota në kundërshtim me Venecian, tani duan të shpëtojnë Dvoranin, pasi ka pasur garanci edhe nga disa palaçove ndërkombëtarë për të përdhunuar të gjithë procesin e KED-së”.

Më herët, Zëdhënësi i Presidentit, po si përgjigje ndaj këshillës së Ambasadës, tha se kreu i shtetit kishte pasur një telefonatë mbrëmjen e të mërkurës me Zëvendësndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, me kërkesë të zyrtarit të lartë amerikan dhe sfidoi Ambasadën me publikimin e transkriptit të bisedës, nëse ajo do të ishte dakord.

Presidenti sulmoi sërish edhe mazhorancën, në lidhje me shkarkimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese të emëruar prej tij, Benik Muçit, duke thënë se kjo ishte hakmarrje ndaj Muçit, pasi ai nuk u bë pjesë e skenarit për të bllokuar emërimin e Marsida Xhaferllarit.

“Jam me deklaratën e Blushit tim, zero surprizë nga vettingu u partisë, që u shpall edhe para pak ditësh nga zv/ kryeministri (Erjon Braçe) për zotin Muçi. Nuk jam i habitur, se ka pasur presione politike që ditën e parë që hyri në zyrë për t’u bërë pjesë e puçit për të bllokuar Marsida Xhaferllarin për të ushtruar detyrën e saj. Presionet i ka pasur nga shumica. Nuk besoj se keni harruar edhe deklaratën e Xhafajt, që i bëri presion dhe shantazh Vitore Tushës. Rama bllokoi Kushtetuesen me disa palaço ndërkombëtarë”.

Presidenti thotë se zgjidhja e vetme e situatës është referendumi. E këtu sërish sfidoi ndërkombëtarët që i konsideron si palë me qeverinë.

“Ka vetëm një zgjidhje për Ramën dhe disa palaço ndërkombëtarë, referendumi. Edhe diplomatët të dalin me Ramën. Unë do të dal me të gjithë shqiptarët që duhet të rimarrin në dorë sovranitetin e vendit pasi nesër është dita kur populli shqiptar votoi me referendum Kushtetutën më të mirë pas kaosit në 1997 dhe që Edi Rama dhe disa palaço ndërkombëtarë edhe në 2008 edhe më vonë e minuan dhe duan ta përdhosin çdo ditë. Prandaj larg duart nga Gjykata Kushtetuese. Zgjidhja është referendumi për të vendosur. Zgjidhja është referendumi dhe këtë ta vendosin shqiptarët. Amerika është këtu, nuk është as në Rrugën e Elbasanit, as në Xibrakë”.

Kreu i shtetit është angazhuar prej disa ditësh në takime me krerët e partive politike opozitare, ish-presidentët dhe shoqërinë civile për t’u shpjeguar situatën në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa ka paralajmëruar edhe publikimin e një videoje kundër kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, të cilin e ka kallëzuar penalisht për shpërdorim detyre dhe përvetësim të kompetencave të Presidentit.  

Tv Klan