Mazhoranca dhe opozita rinisën ditën e sotme negociatat në përpjekje për të gjetur një kompromis për emrin e kreut të shtetit.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, tha se në 3 raundet e para opozita ka të drejtën për të propozuar kandiatët. Ai u shpreh se PS-ja nuk do të propozojë kandidatë pa propozuar fillimisht opozita.

Balla shtoi se mazhoranca do ta bëjë këtë në raundin e 4 dhe të 5. Më tej, ai theksoi se socialistët e kanë gati një listë me kandidatura. Po ashtu, ai kërkoi se nëse opozita ka një kandidat që gëzon firmën e 20 deputëtëve mund ta propozojë. Të vetmet propozime që nuk do të marrë parasysh mazhoranca, Balla tha se janë ato që do të vijnë nga “non gratat”.

“Të drejtën e propozimit e ka pasur çdo palë. Shembulli që solli zoti Mediu që për presidentin që u zgjodh në vitin 2002 e propozoi Bashkimi Liberal Demokrat. Në këtë aspekt mendoj tek ai dokumenti, të gjitha palët kanë të drejtë të propozojnë. Të hënën në orën 18:00 kemi raundin e dytë. Që presidenti të zgjidhet duhet të gëzojë firmën e 20 deputetëve që të kandidojë. I keni ju firmat? Sepse e tillë është procedura kushtetuese. Silleni kandidatin. Nëse do ishte kandidat unik, opozita mund të sjellë 3 kandidatë, natyrshëm, por kemi kushte që kandidatë që vijnë nga katrani me bojë nuk pranojmë. Për të tjerë nuk ka problem. Për “non gratat” e kisha fjalën. Mendoj se kështu respektojmë dhe jemi të barabartë. Dy raunde i keni ju. Raundi i 4 dhe i 5, ne nuk do të propozojmë kandidatë pa propozuar ju. E lexuat me shumë kujdes frymën e Kushtetutës. Shumica e cilësuar ju jep të drejtë ju që të propozoni. Natyrshëm, PS nuk ka një proces që nuk e përgatit në kohë. E përgatit me muaj. Kemi 2 muaj që jemi përgatitur për këtë proces. Kemi bërë seanca brenda nesh, kemi marrë propozime. Kemi bërë me dy kolegët që jemi këtu shumë konsultime dhe kemi gati një short list tonën. Në 3 raundet e para të drejtën e propozimit e ka opozita. Ku i dihet ne mund të gjejmë kandidatin apo kandidaten që të marrë mbështetjen për të qenë Presidentin e Republikës. Këtë ua kemi thënë pa media edhe përfaqësuesve të tjera të opozitës”, tha Balla.

Sa i përket kritereve, Taulant Balla tha se edhe PS është dakord, pasi janë të shkruara edhe në ligj.

“Propozimi ynë është që tani ju keni të drejtën tuaj të propozoni, por e drejta juaj për të propozuar nuk është ekskluzive për të gjitha raundet. Pra deri në raundin e 3 mund të propozoni vetëm ju. Në rast se nuk biem dakord, pastaj me respektin e procesit sikur e thatë në raundin e 4 ne do të propozojmë dhe ju mund të shpreheni me votë”, tha Balla./tvklan.al