I hapet rrugë miratimit të kabinetit dhe programit në Kuvend

Nuk ka surpriza në miratimin e qeverisë “Rama 3” nga ana e Presidentit të Republikës, Ilir Meta. Pas dekretimit të kryeministrit Edi Rama disa ditë më parë, Kreu i Shtetit ka shpallur të martën dekretin për emërimin e gjithë Këshillit të Ministrave, i cili veç kryeministrit ka në përbërje edhe 16 anëtarë të tjerë.

Në dekretin e tij, Meta bën të ditur se para se të firmoste emërimin e qeverisë së re, ka marrë informacione të nevojshme edhe nga institucionet e tjera të zbatimit të ligjit, siç është prokuroria, të cilat kanë konfirmuar kushtetueshmërinë dhe pastërtinë e figurës për të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar.

“Pas zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë të datës 25.04.2021, rezultati përfundimtar i të cilave është shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me propozim të Kryeministrit si dhe pas administrimit të informacionit prej organeve ligjzbatuese për verifikimin e kandidatëve të propozuar si anëtarë të Këshillit të Ministrave, dekretoj emërimin e Këshillit të Ministrave”.

Dekreti për emërimin e qeverisë së re është depozituar në Kuvend dhe tashmë i hapet rrugë procedurës parlamentare për votimin e përbërjes së kabinetit qeveritar dhe programit qeverisës.

Ligji themeltar i shtetit në nenin 97 të tij përcakton se Kryeministri i emëruar i paraqet për miratim Kuvendit, brenda 10 ditëve, programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij. Afat ky që llogaritet nga data 10 shtator, ku edhe u shpall dekreti për emërimin e Ramës si kryeministër.

Por gjithsesi, tashmë bëhet fjalë për procedurë parlamentare dhe miratimi I qeverisë së re në Kuvend nuk pritet të ketë më pengesa. Pas votimit në Kuvend qeveria e re pritet të paraqitet te presidenti I republikës Ilir Meta për të bërë betimin dhe për të nisur zyrtarisht nga puna. Kjo do të jetë edhe përballja e parë e Ramës me Metën, pas një kohe të gjatë marrëdhëniesh të tensionuara mes tyre.

Qeveria “Rama 3”, përveç kryeministrit, ka në përbërje të saj 16 ministra, nga të cilët 12 gra dhe 4 burra. Ndërkohë 5 nga anëtarët e rinj të qeverisë do jenë ministra shteti.

Qeveria “rama 3”

1. Edi Rama- Kryeministër

2. Arben Ahmetaj – Zëvendëskryeministër dhe ministër për Rindërtimin

3. Olta Xhaçka – Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme

4. Niko Peleshi – Ministër i Mbrojtjes

5. Bledar Çuçi – Ministër i Brendshëm

6. Delina Ibrahimaj- Ministër i Financave dhe Ekonomisë

7. Belinda Balluku – Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë

8. Evis Kushi – Ministër i Arsimit dhe Sportit

9. Ulsi Manja – Ministër i Drejtësisë

10. Elva Margariti – Ministër i Kulturës

11. Frida Krifca – Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

12. Ogerta Manastirliu – Ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

13. Mirela Kumbaro Furxhi – Ministër i Turizmit dhe Mjedisit

14. Elisa Spiropali – Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin

15. Edona Bilali – Ministër i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes

16. Bora Muzhaqi – Ministër i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët

17. Milva Ekonomi – Ministër i Shtetit për Standardet e Shërbimeve

Tv Klan