Presidenti kthen për rishqyrtim paketën anti-shpifje

Presidenti kthen për rishqyrtim paketën anti-shpifje

11:22 12/01/2020

“Shkel parimet themelore kushtetuese të një shteti demokratik”

Presidenti  ka firmosur kthimin për rishqyrtim nga parlamenti të 2 ligjeve që njihen si paketa anti- shpifje. Pavarësisht se e nis argumentimin e dekreteve të tij me një vlerësim për një pjesë të dispozitave të këtyre 2 ligjeve, për presidentin qëllimi i shumicës është që përmes këtyre amendimeve ligjore është vendosja nën kontroll e medias dhe minimizimi i zërit kundër dhe kritik.

“Pikërisht në kushtet kur mazhoranca aktuale ka mundur që të monopolizojë thuajse të gjithë pushtetet legjislativ, ekzekutiv, pushtetin vendor dhe po bën të gjitha përpjekjet për të vendosur nën kontroll politik sistemin e drejtësisë, mbajtja e pandikuar dhe larg kontrollit e medias së lirë, nuk është vetëm një interes publik, por një mision në drejtim të së ardhmes së vendit dhe ruajtjes së vet demokracisë. Vendosja e medias në këtë moment nën trysninë e mekanizmave ndëshkues arbitrarë, tregon se gjithë parashikimet e ligjit, nuk janë frut i një vlerësimi të cekët të qeverisë dhe të Kuvendit, por një qëllim i qartë me synim vendosjen nën kontroll të medias së lirë dhe miniminizimit të zërit kundër dhe kritik”

Sipas Metës amendimet bien ndesh me parimet kushtetuese për mbrojtjen e të drejtave dhe lirisë së shprehjes, me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese dhe nuk janë në harmoni me standardet e konventës  europiane për të drejtat e njeriut, çka për presidentin përmbajnë elementë censurues.

“Kjo gjendje censure krijohet përmes aplikimit të masave ndëshkuese jo proporcionale, masa që mund të vlerësohen dhe vendosen nga organe administrative, të cilave u jepet fuqia që t’i vënë në ekzekutim të menjëhershëm këto masa, përpara se të ketë një vendimarrje përfundimtare dhe të formës së prerë mbi ligjshmërinë e tyre.

Hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve do të krijojë një mjedis arbitrar dhe të pasigurtë ndaj operatorëve mediatikë elektronikë.

Këto mekanizma jo proporcionalë të forcës ndëshkuese që përmbajnë ndryshimet ligjore të miratuara, krijojnë hapësirë që ato të aplikohen përkundrejt mediave on line që janë kritike me punën e qeverisë. Kjo e fundit përmes përfaqësuesve të saj në organet vendimmarrëse dhe kompetencave që këto organe marrin, ka të gjitha mundësitë të shfrytëzojë këtë bazë ligjore që lejon interpretim subjektiv, të ndëshkojë në mënyrë të padrejtë çdo media e cila nuk i përshtatet vullnetit politik të shumicës”.

Sipas presidentit, Kuvendi i Shqipërisë me miratimin e ligjit ka kapërcyer kufijtë e autorizimit kushtetues, përmes kompetencave që i ka dhënë AMA.

“ Vendimi i Këshillit të Ankesave, që administrativisht nuk është përfundimtar, për sa kohë ankimohet në Bord, nuk mund të parashikohet nga ligji se përbën titull ekzekutiv.

Edhe praktikisht, është e pamundur që mbi një vendim administrativ jo përfundimtar, që mund të rrëzohet si nga Bordi apo në mënyrë potenciale nga gjykata, të investohet paraprakisht gjykata për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit mbi këtë vendimmarrje jo të formës së prerë, për t`ia nënshtuar më pas procesit të ekzekutimit përmbarimor”.

Kryeministri e kishte paralajmëruar kthimin e paketës anti-shpifje për rishqyrtim nga kreu i shtetit.

“Do hyjë në fuqi në fillim të vitit, se Presidenti do na i kthej në fund të këtij vitit,  data 18 dhjetor…”

Rama gaboi vetëm për kohën kur dekreti i Metës do bëhej publik.

Presidenti kërkon që Kuvendi të rihap procesin e konsultimit publik dhe të reflektojë mbi sugjerimet e aktorëve të interesuar.

Por kjo deklaratë e kryeministrit në seancë kur u miratua paketa, tregon qartë fatin e dekretit të Presidentit i cili, siç lë të kuptohet Rama, do të rrezohet nga parlamenti pa i bërë ndryshimet që propozon Meta.

Tv Klan




Grupi
LAJMET
Të ngjashme


Grupi