“Qëllimi, të mbrojmë demokracinë dhe Kushtetutën”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka vendosur të dalë nga zyra e tij duke nisur një tur takimesh me qytetarët, një iniciativë e panjohur më parë nga një kryetar shteti. Ishte zëdhënësi i presidentit që zbuloi se takimi i parë do të bëhet në “Ditën e rinisë” në 8 Dhjetor në qytetin studenti. Synimi, sipas zëdhënësit të kreut të shtetit, është nisjen e një dialogu me Shqipërinë për të mbrojtur Kushtetutën dhe demokracinë.

“Nisja e Dialogut të Presidentit Meta me Shqipërinë ka për qëllim mbrojtjen e Demokracisë dhe Kushtetutës! Dialogun e Presidentit Meta me shqiptarët nuk mund ta ndalë askush, deri në zbatimin e detyrimit kushtetues për Referendumet. Jemi të vendosur deri në fund: Demokracinë nuk e japim me koncension! Tani vetëm demokraci direkte! Tani vetëm referendum! Shqipëria e para! Shqiptarët mbi çdo gjë!”

Presidenti ka paralajmëruar se të hënën do të shpallë edhe nismën për mbajtjen e një referendumi. Është ende i paqartë cili do të jetë qëllimi i këtij referendumi pasi vetë kreu i shtetit, por edhe zyra e tij kanë qenë të rezervuar në dhënien e detajeve. Më herët në rrjetet sociale Presidenca ka publikuar nenin 150 të Kushtetutës, i cili sansionon se 50 mijë shtetas me të drejtë vote, kanë të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t’i kërkojnë Presidentit të Republikës mbajtjen e tij për çështje të një rëndësie të veçantë.

Por për ndryshimet kushtetuese, neni 177 sanksionon se për këtë vendos vetë parlamenti, i cili mund t’i drejtohet më pas popullit për referendum, kur këtë e kërkon një e pesta e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, ose 28 deputetë dhe kur miratohet nga dy të tretat, ose 94 deputetë.

Tv Klan