Abrogimi i ligjit të luftës, çështja e pronave të shtetasve shqiptarë në Greqi, si dhe ajo e komunitetit çam ishin në qendër të takimit që Presidenti Bujar Nishani zhvilloi me Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Kozias.

Kreu i Shtetit e përshëndeti këtë vizitë të dytë të ministrit Kotzias në Shqipëri brenda një viti, duke e konsideruar si vazhdim të shprehjes së marrëdhënieve të natyrshme mes dy vendeve, të cilat i bashkojnë interesa me karakter strategjik.

Presidenti Nishani theksoi në takim se falë traditës historike të bashkëpunimit të dy vendet duhet që me vullnet dhe angazhim të përbashkët t’i forcojnë më tej raportet e besimit, si dhe t’i adresojnë të gjitha çështjet dypalëshe pa paragjykime, në funksion të realiteteve dhe nxitjes së mëtejshme të marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha aspektet.

Kreu i shtetit theksoi gjithashtu se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë një impakt të madh edhe në kuadrin e zhvillimeve rajonale. Në këtë këndvështrim, Presidenti Nishani u shpreh se është shumë e nevojshme njohja dhe mbështetja e Kosovës nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe theksoi se beson se zëri i Greqisë për stabilitetin dhe paqen në rajon mbetet një zë shumë i rëndësishëm.

Tv Klan