Presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar një takim me krerët e partive politike parlamentare për tu konsultuar për datën e zgjedhjeve të rregullta. Ftesës nuk i është përgjigjur kreu i LVV-së njëherit kryeministër Albin Kurti si dhe kreu i Listës Serbe. Presidentja tha se nuk e di arsyen e mungesës së tij.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, mospjesëmarrjen e kryeministrit në takim e arsyeton me praninë e tij në një drekë me 21 ambasadorë të akredituar në Kosovë. E partitë e mëdha parlamentare opozitare, LDK, PDK e AAK konsiderojnë se 26 janari është data më e përshtatshme për zgjedhje.

Presidentja Osmani tha se nuk ka parë vullnet politik për zgjedhje të jashtëzakonshme.

Në rast se Kosova shkon në zgjedhje të rregullta parlamentare atëherë kjo do të jetë hera e parë pas pavarësisë që një qeveri e përfundon mandatin e saj.

Tv Klan