Vrasja e udhëheqësit politik në arrati të Hamasit, Ismail Hanije në një sulm të ushtrisë izraelite në Teheran rrezikon shpërthimin e një lufte të madhe në Lindjen e Mesme, teksa diplomacia botërore bën thirrje për qetësi dhe paqe.

Teksa Irani paralajmëron hakmarrje të ashpër me modelin e breshërisë së dronëve e raketave ndaj Izraelit më 14 prill, ministri izraelit i Mbrojtjes Joav Galant tha se Izraeli është kundër luftës por po përgatitet për të gjitha mundësitë.

Si kryediplomat i një vendi aleat të Izraelit, Sekretari amerikan i Shtetit Entoni Blinken tha se Uashingtoni nuk kishte asnjë dijeni paraprake për atentatin që i ishte organizuar kreut të Hamasit. Blinken tha se ngjarja tregoi se sa i rëndësishëm është armëpushimi në Rripin e Gazës.

Përmes rrjetit X, presidenti turk Rexhep Taip Erdoan e quajti vrasjen e Ismail Hanijes me të cilin ka patur marrëdhënie politike vëllazërore, një barbari sioniste. Kjo ngjarje sipas tij, nuk do e pengojë rezistencën e popullit palestinez.

Për Ministrinë e Jashtme ruse, kjo është një vrasje politike që mund të nxjerrë jashtë kontrollit tensionet në Lindjen e Mesme.

Përfaqësuesit e Katarit dhe Egjiptit, që kanë nxitur dhe ndërmjetësuar pa pushim arrritjen paqes mes Izraelit dhe Hamasit reaguan ashpër duke thënë se vrasja e Hanijes shkatërron përpjekjet për armëpushim.

Tv Klan