Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, me të cilin zhvilluan një bisedë dhe konfirmuam raportet e shkëlqyera ndërshtetërore.

Me ministrin Çavuşoğlu,presidentja Osmani diskutoi për bashkëpunimin bilateral, në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes, tregtisë dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm, transmeton klankosova.tv.

Të dy, kanë diskutuar edhe për zhvillimet aktuale në rajon dhe në Evropë, ku presidentja Osmani theksoi se integrimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike parandalon ndikimin rus në rajon dhe tendencën për destabilizim.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin se anëtarësimi i Kosovës dhe rajonit në strukturat euroatlantike është domosdoshmëri.

E vlerësoj maksimalisht mbështetjen e qartë të presidentit Erdoğan ndaj anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Mbështetje të tillë nga Turqia na duhet edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka theksuar në takim presidentja Osmani.

Marrëdhëniet e Kosovës me Turqinë janë strategjike dhe se ky shtet është ndër partnerët tanë kryesor në NATO. Komuniteti turk në Kosovë dhe mërgata e madhe shqiptare në Turqi janë urë e fortë ndërmjet dy shteteve”, ka theksuar presidentja Osmani.

Marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve, sipas presidentes Osmani kanë potencial të thellohen edhe më tej, posaçërisht në fushën e investimeve, si dhe duke rritur eksportin e Kosovës në Turqi, thuhet në njoftimin e dërguar./klankosova