Lajme Arkiva 2003

Në ambientet e Kinema Millenium 2 në kryeqytet janë prezantuar dje dy filma shqiptar me metrazh të shkurtër. Filmi i parë me titullin “Një ditë e mrekullueshme” mban firmën e regjisorit të njohur Ibrahim Muçaj, artist i merituar.

Ai është me skenar nga Ervin Muça dhe në rolet kryesore interpretojnë aktorët Ermela Teli dhe Genti Kame ndërsa në rolet episodike kanë interpretuar Liza Laska, Lutfi Hoxha, Vasil Hoda etj.

Ndërsa filmi i dytë ka pasur si regjisor Ervin Muçaj dhe me skenar nga Erion Kame dhe Ervin Muçaj. Në rolet e këtij filmi kanë interpretuar Sokol Verçani, Ermela Teli, Fatos Sela etj.

Në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve është çelur nje ekspozitë personale e artistit të ri Gjergj Shoshi e titulluar portret dhe imazh. Gjergj Shoshi vjen nga një familje e njohur e artit sepse ai është i biri i piktorit të shumë njohur Zef Shoshi, krijimtaria e të cilit është ende e pranishme dhe aktive për publikun shqiptar.

Shoshi i riu ka studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë në vitet 1993-1997 në atelienë e Grafikës dhe nën drejtimin e pedagogut Ilir Pojani sot me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ekspozita e tij përbëhet prej 22 punimeve në fushën e pikturës dhe në teknikën e akrilikut. Krijimtaria e këtij piktori i përket artit bashkëkohor konceptual, gjuhës më të interesuar të brezit më të ri të artistëve të artit viziv. E gjithë paraqitja figurative shprehet si një instalim i menduar për të dhënë shpërthimin psikoemocional të piktorit mbi trysnitë e debateve me veten dhe sistemin e ri shoqëror.

Është prezantuar së fundmi botimi i ri i autorit doktor Myslym Hotova, “Haxhi Mihal Daliani” pema gjigande e Shqipërisë në Kretë, heroi legjendar i botës Atlas. Në vazhdim të punës hulumtuese dhe studimore doktor Myslim Hotova përpiqet të hedh dritë në marrëdhëniet shqiptare-greko në një nga momentet e tyre më madhore.

Është fjala për një nga figurat protagoniste siç paraqitet ajo e Haxhi Mihal Daljanit. Udhëheqës i shquar popullor, trim dhe i mençur, i përkushtuar kauzës së shtrenjtë të lirisë, ai la emër të nderuar në analet e historisë greke.

Në ambientet e shkollës së mesme Andon Zako Çajupi është organizuar një aktivitet kulturor kushtuar artit dhe muzikës italiane. Në këtë aktivitet nxënësit e kësaj shkolle që studiojnë gjuhën italiane kanë përzgjedhur për të interpretuar pjesë nga këngë të njohura italiane si dhe recitime.

Gjithashtu atmosfera festive është prezantuar edhe me prezantimin e disa librave në gjuhën italiane. Motoja e këtij aktiviteti ishte Italia është një vend ku i këndohet dashurisë./tvklan.al