8 deputetë të Partisë Demokratike në Komisionin e Ligjeve kërkojnë zyrtarisht seancë dëgjimore për çështjen e shtëpive tek zona e “5 Majit”.

“Në përpjekje për t’u ardhur në ndihmë banorëve që nuk kanë asnjë përgjigje nga asnjë institucion dhe që ndodhen nën presionin e policisë për prishjen e shtëpive, deputetët e PD-së i dërguan Kryetares së Komisionit të Ligjeve një kërkesë për seancë dëgjimore të premten”, thuhet në një njoftim të PD-së.

Deputetët Gazment Bardhi, Enkelejd Alibeaj, Dhurata Çupi, Saimir Korreshi, Greta Bardeli, Dashnor Sula, Elda Hoti, Bledion Nallbati vënë në dukje detyrimin e këtij komisioni për të mbrojtur të drejtat e njeriut, posaçërisht të drejtën e pronës për rastin e familjeve në zonën e “5 Majit”.

Në seancë dëgjimore, përveç një përfaqësie nga banorët, janë thirrur edhe përfaqësues nga disa institucione:

1.     Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj;

2.     Drejtori i IMT pranë Bashkisë Tiranë;

3.     Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano;

4.     Avokati i Popullit, Erinda Ballanca

Deputetët e PD-së kërkojnë gjithashtu edhe paraqitjen nga institucionet të dokumentacionit të plotë mbi projektin dhe veprimtarinë e institucioneve mbi pronën e qytetarëve./tvklan.al