Phillip Blanks kishte pritur pasime të panumërta në karrierën e tij sportive, duke qenë se kishte luajtur futboll amerikan, por asnjë prej tyre nuk mund të krahasohet me pritjen që bëri javën e shkuar.

Teksa një apartament u përfshi nga flakët në Phoenix të SHBA, instiktet e Blanks u rizgjuan kur e dëshpëruar, një nënë hodhi fëmijën e saj nga ballkoni, në tentativë për t’i shpëtuar jetën.

“Bëra punën time“, rrëfeu ish-sportisti për mediat amerikane. “Gjithçka ndodhi shumë shpejt, di vetëm që vrapova dhe as nuk e pashë fëmijën”.

Pikërisht ky moment u kap në një video, në të cilën 28-vjeçari shfaqet teksa vrapon dhe pret fëmijën vetëm pak çaste përpara se të prekte tokën.

Sipas asaj që shkruan USA Today, 3-vjeçari dhe motra e tij 8-vjeçare arritën t’i shpëtonin flakëve, por ndodhen në spital për shkak të plagëve të marra. Nëna e fëmijëve nuk mund të mbijetonte dhe gjeti vdekjen si pasojë e zjarrit.

Blanks tregoi se kishte dëgjuar zhurmë dhe kishte dalë të shikonte se çfarë po ndodhte, pa patur kohë as të vishte këpucët. Në atë moment pa gruan që po tentonte të hidhte të birin nga ballkoni.

Blanks kishte luajtur futboll në gjimnaz, në Kalamazoo Central High School në Michigan, më pas në Kalamazoo Valley College, përpara se të shkonte në Saddleback College në Mission Viejo, California.

Ai kishte qenë gjithashtu pjesë e Marinës Amerikane, ku tha se ishte përgatitur për të qenë gjithmonë vigjilent dhe i disiplinuar./tvklan.al