Paqartësitë dhe problemet që ka shkaktuar për qytetarët ulja e kufirit të patatueshëm për blerjet online, ka bërë që Posta Shqiptare nga e hëna të ofrojë masa për lehtësim procedurash.

Nëse deri më sot për kalimin e kufirit të patatueshëm shërbimi merrej vetëm në Tiranë, nga data 22 Gusht sipas postës, do të bëhet e mundur që në qytete të ndryshme të vendit, të kryhen veprimet e zhdoganimit dhe pagesa, për të tërhequr objektet postare.

Një nismë e tillë po hartohet në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, e cila thotë se do të bëjë të mundur thjeshtëzim maksimal procedurave.

Posta Shqiptare është shprehur kundër uljes së kufirit të patatueshëm për blerjet online. Ajo thotë se “tregtia online”, duhet inkurajuar duke rritur pragun e përjashtimeve doganore. Por, në përgjigje të shqetësimit të ngritur nga posta, por edhe nga qytetarët , do të paguajnë më shumë. Ministria e Financave thotë se sistemi tatimor duhet të jetë i drejtë për të gjithë.

Nga 22 Gushti tatohet çdo blerje online mbi 22 euro dhe të gjitha dërgesat postare mbi 45 euro. Më parë kufiri i patatueshëm ishte 150 euro. Sipas Financave, kjo masë erdhi për të luftuar evazionin dhe kontrabandën, pasi numri i transaksioneve për blerjet online u rrit me 6 herë, ndërsa ai i pakove me 3 herë. Tarifa sipas Ministrisë së Financave është sipas direktivave të BE dhe aplikohet edhe nga vendet e rajonit, si Kosova dhe Maqedonia.

Tv Klan