Në vitin 2008 është bërë një konkurs për rikonstruksionin e “Sheshit Skënderbej”. Konkursi u fitua nga një studio belge e quajtur “51N4E”, një studio e cila parashikonte rikonstruksionin e sheshit duke ruajtur tiparet kryesore të tij.

Për të diskutuar mbi projektin, emisioni “Opinion” i gazetarit Blendi Fevziu realizuar më 29.03.2010 kishte të ftuar në studio Marks Velon, një prej anëtarëve të jurisë që kishte shpallur fituese firmën belge dhe Flamur Kuçin, urbanist.

“Në fazën e parë të konkursit u paraqitën 19 studio nga të cilat ishin 2 amerikane, 1 ruse dhe 16 europiane. U përzgjodhën 6 projekte që ishin belge, franceze, holandeze, italiane spanjolle dhe amerikane. Pesë nga projektet ruanin formën e parë të sheshit, katërkëndëshin e gjatë dhe i vetmi që ndryshonte formën e sheshit ishte projekti belg. Ndryshimet që bëhen sipas këtij projekti janë: Bllokimi i rrugës që të çon tek treni, ndërtohet një kullë mes muzeut dhe Hotel Tiranës. Ndërtohet në ambientet boshe të muzeut. Në vijë me bankën ndërtohet një godinë tjetër. Pjesët tjera mbyllen me gjelbërim. Sipas meje ky ishte projekti më i mirë. Problemi i trafikut do të zgjidhet me ndërtimin e unazës së vogël”,tha Marks Velo.

“Qeveria shqiptare u investua e para për gjetjen e fondit për Bashkinë e Tiranës në të mirë të qytetarëve. U ra dakort që do të bëhej një konkurs, kontestimi im është që shoh Bashkinë e Tiranës në procese të paligjshme. Ky projekt nuk plotëson një hallkë ligjore, në perceptimin tim Bashkia po merr në qafë firmën ndërtuese duke e futur në një proces të paligjshëm. Unë shoh bashkinë që merret me fasada dhe jo me përmbajtje. Mbyllja e qendrës sipas mendimit tim do të krijojë probleme në qarkullim, është njësoj sikur ti heqësh trupit zemrën dhe të pretendojm që do të qarkullojë gjaku. Mbyllja e sheshit do të krijojë problematikë të madhe në trafik”,tha Flamur Kuçi. /tvklan.al