Në Rusi po zhvillohen protesta kundër rritjes së moshës së pensionit, pas një thirrjeje nga burgu, nga kreu i opozitës Alexei Navalny. Reformat e pensioneve kanë shkaktuar zemërim te populli dhe mbështetësit e Navalny kanë planifikuar protesta në më shumë se 80 qytete.

Protestat kanë filluar në Vladivostok dhe qytete të tjera në Lindjen e Largët të Rusisë, shkruan BBC.

Ata përkojnë me zgjedhjet për 26 udhëheqës të 85 rajoneve të Rusisë, duke përfshirë edhe Moskën, të cilat po mbahen këtë të dielë.

Nga viti 2019, mosha e daljes në pension për burrat do të rritet nga 60 në 65 vjeç dhe nga 55 në 60 për gratë. Putin hoqi dorë nga plani fillestar për të rritur moshën e pensionit të grave në 63. Burrat rusë kanë një jetëgjatësi mesatare deri në 66 vjeç, ndërsa për gratë është 77, thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Navalny, lideri më i shquar i opozitës i Rusisë, planifikoi të zhvillonte një protestë në Moskë të dielën, por muajin e kaluar një gjykatë e dënoi me 30 ditë burg për shkelje të ligjeve mbi protestat.

Ai ka mohuar me forcë të gjitha akuzat kundër tij. Navalny nuk u lejuar të konkurronte kundër Vladimir Putinit për president në Mars.

“Putini dhe qeveria e tij kanë plaçkitur buxhetin për 18 vitet e fundit”

, tha ekipi i Navalny në një deklaratë përpara protestave të së dielës.

Putin ka thënë se masa për të rritur moshën e daljes në pension për burrat dhe gratë është vonuar për vite me rradhë dhe ka rrezikuar të shkaktojë inflacion dhe të rrisë varfërinë.

“Shtyrja e tij më tej do të kërcënonte stabilitetin dhe sigurinë e shoqërisë ruse”,

tha ai.

Sindikatat megjithatë kanë paralajmëruar se shumë prej njerëzve nuk do të jetojnë aq gjatë sa të arrijnë moshën e pensionit./tvklan.al