Presidenti Ilir Meta ka bërë thirrje për dialog mes qytetarëve dhe autoriteteve pas protestave kundër ndërtimit të Unazës së Re.

Në një deklaratë për media, Presidenca tha se kreu i shtetit “

po ndjek me shqetësim dhe vëmendje situatën konfliktuale të krijuar në Tiranë mes qytetarëve dhe autoriteteve për shkak të ndërtimit të Unazës së Re. Presidenti Meta bën thirrje për vendosjen e një dialogu dhe konsultimi mes qytetarëve dhe autoriteteve, me qëllim që të gjithë ankesat të vlerësohen me transparencë dhe përgjegjësi, me qëllim arritjen e një zgjidhjeje të drejtë dhe objektive.

Kreu i shtetit kërkoi nga të gjitha institucionet të zbatojnë me përpikmëri procedurat ligjore për hartimin, miratimin dhe implementimin e këtij projekti urban në mënyrë që realizimi i tij të mundësojë një zgjidhjeje të drejtë për të gjithë qytetarët dhe interesin publik në tërësi.

Në deklaratë për media thuhet se “

Presidenti Meta do t’i drejtohet institucioneve përgjegjëse për të marrë informacionin e duhur në lidhje me ndjekjen e procedurave të deritanishme për këtë çështje. Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe të gjitha institucionet shtetërore duhet të tregojnë përgjegjshmëri në respektimin e plotë të tyre.

/tvklan.al