Kusht për aplikim janë tre ditë trajnimi në vit kalendarik. Dosja dorëzohet brenda 15 Shkurtit

Ministria e Arsimit ka publikuar udhëzimin për provimin e kualifikimit të mësuesve. Të gjithë arsimtarët në shkollat publike dhe private që janë kandidatë për të hyrë në këtë provim duhet që brenda datës 15 Shkurt 2022, të dorëzojnë formularin e palikimit së bashku me portofolin profesional sipas profilit përkatës.

Për mësuesit e diplomuar nga Janari i vitit 2011 e në vijim duhet që të kenë edhe licencën e ushtrimit të profesionit të mësuesit. Ndërkohë që testi me shkrim do të zhvillohet më 09 Prill, ora 10:00-12:30,  në Tiranë në  mjediset  e  përcaktuara  nga  Agjencia  për  Sigurimin  e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar (ASCAP).

Në provimin e kualifikimit mund të hyjnë të gjithë mësuesit, të cilët, deri më datë 31 Dhjetor të vitit paraardhës, plotësojnë kushtet e mëposhtme për vjetërsinë e punës në arsim. Pra kanë të paktën 5 vjet punë për kategorinë e kualifikimit “Mësues i kualifikuar”.

Të paktën 10 vjet punë për kategorinë e kualifikimit “Mësues specialist”. Të paktën 20 vjet punë për kategorinë e kualifikimit “Mësues mjeshtër”. Kusht për të aplikuar janë të paktën 3 ditë trajnimi në vit kalendarik,  të  cilat  janë  të  barasvlefshme  me 18 orë trajnimi  të  pasqyruara me 1(një) kredit. Vlerësimi i kualifikimit përbëhet me sistemin e 100 pikëve, i cili përfshin pikët e portofolit, bonueseve si dhe pikët e testit.

Kandidatët që vlerësohen dobët, kanë të drejtën të aplikojnë për kategorinë e kualifikimit jo më parë se dy vjet.

Klan News