Partia Socialiste, Bashkia Shkodër dënon me forcë aktin e dhunimit të përsëritur të ambienteve të KZAZ Nr. 2 dhe materialeve zgjedhore për zgjedhjet e 30 Qeshorit 2019.

Në një deklaratë në rrjetet sociale, thuhet se “incidenti i sotëm është në vazhdën e një sërë incidentesh të provokuara nga Bashkia Shkodër kundër procesit zgjedhor me synim pengimin e qytetarëve për të ushtruar të drejtën kushtetuese të votimit”.

Përveçse anëtarët e KZAZ Nr.2 u dhunuan dhe penguan në ushtrimin e detyrës tyre, Partia Socialiste thotë se Bashkia Shkodër kundërshtoi veten me dy urdhra, ku të parin urdhëroi tërheqjen e materialeve zgjedhore dhe me të dytin pengoi anëtarët e KZAZ-së në tërheqjen e materialeve.

Partia Socialiste distancohet, dënon aktet e dhunës, si dhe i bën thirrje autoriteteve përkatëse të hetojnë deri në fund ngjarjen dhe të vejnë para drejtesisë personat përgjegjës.

Për incidentin reagoi edhe Partia Demokratike, e cila tha se pas sulmit qëndronin përfaqësues të Partisë Socialiste në Shkodër me në krye nipin e deputetit të PS, Luan Harusha. Selia blu publikoi edhe pamje të këtij momenti.

“Video është momenti kur përfaqësues të Partisë Socialiste në Shkodër me në krye nipin e deputetit të PS, Luan Harusha, sulmojnë me dhunë Pallatin e Sportit në Shkodër, nën administrimin e Bashkisë, duke thyer me forcë derën e këtij institucioni. Policia Bashkiake e Shkodrës, e cila ka nën menaxhim këtë institucion i ka ndaluar, ndërkohë që në momentin kur arrin policia e rendit autorët largohen nga vendi i ngjarjes pa u ndaluar nga uniformat blu. Në vendngjarje janë 4 makina. Një Volkswagen Passat ngjyrë jeshile e cila ka targën Sh 3573 E, Një Peugeot e bardhë me targë Sh 1782 E, një Merecedes Benz CLS me targë AA 007, pronari i të cilit është Ergys Harusha, nipi i deputetit të Partisë Socialiste, Luan Harusha“, thuhet në deklaratën e Partisë Demokratike./tvklan.al