Mazhoranca i kërkon Presidentit të reflektojë në pak orë që i kanë ngelur përpara nisjes së seancës së jashtëzakonshme dhe të firmosë dekretet për emërimin e Kryeministrit edhe si Ministër i Jashtëm, si dhe atë të shkarkimit të Ministrit aktual, Ditmir Bushati.

“Besoj që deri në orën 17:00 edhe zoti Meta do t’i ketë dhënë fund një historie të pakuptimtë të krijuar artificialisht”.  

Por përgjigja e kreut të shtetit është e shkurtër: 

“Kushtetuta e para”.

Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar socialist e akuzon Presidentin se po sillet si kryetar alternativ opozite. 

“Në një situatë që opozita e ka humbur besimin në kryetarin Lulzim Basha, Presidneti Meta është munduar të bëjë kryetarin alternativ të opozitës”.

Por Presidenti pyetjes për këto deklarata i është përgjigjur po me pyetje: 

“Kush është ky, kryetari i Këshillit të Sigurimit Kombëtar?”

Një mesazh për qeverinë dha edhe në një fjalë të mbajtur në konferencën me temë “Politika e mirë në shërbim të paqes”.

“Kërkojmë me forcë që politika dhe politikanët të jenë në shërbim të qytetarëve, interesave publike dhe familjeve të tyre, t’i shërbejnë mirësisë, paqes dhe zhvillimit dhe jo anasjelltas, duke u kthyer nga ‘shërbëtorë’, në ‘zotër’ të jetës, fatit, mirëqenies dhe të ardhmes së qytetarëve”.

Në nisje të sesionit të ri parlamentar, Meta kërkoi dialog mes qeverisë dhe opozitës, por pak ditë pas këtij apeli, ai e sheh veten të përfshirë në një konflikt të fortë me mazhorancën, pas mosdekretimit të Genti Cakajt si Ministër të Jashtëm.

Tv Klan