PR kërkon rinumërim të të gjitha kutive të votimit në Pukë

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve ka rishikuar tabelën përmbledhëse të rezultateve të Këshillit Bashkiak në Pukë, pas kërkesës ankimore të Partisë Aleanca Demokristiane e Shqipërisë dhe Partisë Aleanca Progresiste LZHK.

Pas rihapjes së kutive të votimit dhe rinumërimin e votave, u konstatuan disa parregullsi. 64 vota që i përkisnin subjektit zgjedhor Partia Republikane ishin llogaritur si vota për Partinë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e cila në fund të rinumërimit doli me zero vota.

Nga këqyrja e fletëve të votimit rezultuan dhe disa diferenca të vogla me 1-2 vota që u përkisnin subjekteve të tjera zgjedhore si PSD, por dhe parti të tjera të vogla.

Në përfundim të shqyrtimit, KAS vendosi korrigjimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit  për këshillin e bashkisë Pukë, sipas gjetjeve të dala nga këqyrja e fletëve të votimit.

Edhe pas ndryshimit të tabelës përfundimtare të rezultateve nuk pati ndryshime në rishpërndarjen e mandateve, ku kryeson PSD me 4 këshilltarë. Parregullsitë e konstatuara nga ana e Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, Partia Republikane i cilësoi si manipulim të zgjedhjeve.

Sipas kësaj force politike, në Pukë ka ndodhur hapur vjedhja e votës për t’ia dhënë PDIU. PR i bën thirrje KQZ që të hapë dhe rinumërojë të gjitha kutitë e votimit në Pukë për të shmangur çdo parregullsi të qëllimshme ose jo.

Klan News