Qeveria heq tatimin për të ardhurat e pensionit të huaj


Qeveria heq tatimin për të ardhurat e pensionit të huaj

16:07 21/01/2020

Pensionistët që e merrnin jashtë tatoheshin me 15%

Qeveria ka vendosur të heqë taksën për personat që janë pensionistë, por pensionin e marrin në një shtet tjetër jashtë territorit të Shqipërisë.

Shqiptarët të cilët kanë të drejtë pensioni në një vend tjetër, shtetasit e Bashkimit Europian me leje qëndrimi në vendin tonë, dhe të gjithë shtetasit e tjerë të huaj që kanë marrë nënshtetësi shqiptare dhe janë rezidentë, nuk do të paguajnë më 15% të vlerës së pensionit të tyre si tatim mbi të ardhurat personale.

Deri më sot Shqipëria ka taksuar pensionistët edhe kur ata marrin pension të huaj, një normë ligjore e diskutueshme nga ana fiskale, nëse duhet të tatohet apo jo një e ardhur që merret nga taksat që janë paguar gjatë viteve të punës.

Diskutimi ishte nëse do të tatohej kjo e ardhur, në momentin që puna dhe taksa për sigurime shoqërore është paguar në një vend tjetër.

Megjithatë, Ministria e Shtetit për Diasporën ka arritur që të ndryshojë ligjin, duke vënë si argument pjesën se tatimi nuk ka pse paguhet në momentin që të ardhurat e pensionit shpenzohen në Shqipëri.

Ligji i mohon këtë drejtë personave të cilët kanë qenë të dënuar me më shumë se 3 vjet heqje lirie, si dhe rastin kur përfundon leja e qëndrimit në territorin tonë.

Nga kjo nismë mendohet se do të përfitojnë qindra pensionistë të cilët kanë siguruar një pension jashtë nga emigracioni dhe sot jetojnë në Shqipëri. Akti normativ pritet të hyjë në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Tv Klan

Grupi
LAJMET
Të ngjashme

Grupi