Akuzat e metës, nevojë për kamerdare sa herë sheh ujë

Kur reshjet janë ndalur dhe situata nga përmbytjet është përmirësuar, Kryeministri në një konferencë me ministrin e Mbrojtjes dhe atë të Bujqësisë bëri bilancet. Krahasimin me 2010 e bëri kur sasia e reshjeve ka qenë sipas tij edhe më e pakët se ditët e para të këtij Janari por menaxhimi i situatës dhe investimet strategjike bën dallimin mes 2 qeverive.

“Situata ke qenë kritike dhe përballimi i saj ka qenë për të marrë frymë të lehtësuar. Se në 2010-ën kemi pasur një sasi reshjesh  që u konsideruan në atë kohë apokaliptike. Në bën shumë mirë kujtesa”.

Sa i takon përmbytjeve nga derdhjet e hidrocentraleve Rama siguron se do të përfundojnë me investimin amerikan në Skavicë.

“Ndërtimi i Skavicës, do jetë realitet mandatin e ardhshëm, do mbyllë kapitujt e frikës nga shkarkimet e hidrocentraleve”.

Akuzat e Presidentit për menaxhimin e situatës së përmbytjeve i sheh thjesht për interesa personale politike.

“Meta është në kërkim të një kamerdare dhe kudo që sheh ujë, shkon për të gjetur kamerdare, dhe nuk e ndihmoj dot është puna e tij”.

Edhe për përmbytjet në qytete si Tirana dhe Vlora thotë se nuk vijnë nga mungesa e investimeve.

 “Që nga momenti kur ministria e Infrastrukturës është marrë nga nën drejtimin e ministrave të Partisë Socialiste ka ndryshuar situata 100%”.

Kryeministri foli dhe për vaksinimin dhe garanton se deputetët apo ministrat nuk do të përfshihen në listën prioritare.

“Asnjë ministër, asnjë deputet që nuk është mbi 75 vjeç nuk do ketë asnjë privilegj të kësaj natyre”.

I pyetur për përdorimin e logos së PS në maskën e tij çka bie ndesh me ndalimit që dikton ligji elektoral, kryeministri siguron se gërmat P dhe S në barrierën e tij mbrojtëse nuk kanë lidhje me logon e partisë së tij.

“Nuk është logo e Partisë Socialiste, janë dy gërma të dashura për mua. Lexojini si të doni”

Tv Klan