Pas kalimit drejt tokës greke të qytetarëve që prisnin në radhë prej 5 ditësh në pikën kufitare të Kakavijës, Kryeministri Edi Rama ka shprehur mirënjohje për këdo që kontribuoi në zgjidhjen e situatës kaotike.

Kalimi i të gjithë qyterarëve përfundoi rreth orës 00:40 të 17 Gushtit, pasi pala greke punoi edhe gjatë natës sikurse kishte rënë dakord me autoritetet shqiptare.

“Faleminderit të gjithë atyre që kontribuan për zgjidhjen e ngërçit të rëndë në pikën kufitare të Kakavisë; qytetarëve në radhë të parë, që në shumicën dërrmuese patën mirëkuptim e durim megjithë hallin e madh; Emergjencave Civile, forcave të ushtrisë e të policisë, trupës së Urgjencës Shëndetësore dhe strukturave vendore, që u gjendën pranë njerëzve me përkushtim e pa orar; të gjithë atyre në vendin fqinj që u përfshinë pa rezervë në përpjekjen për ta lehtësuar situatën, në kushtet kur regjimi i ri kufitar e bënte punën për zgjidhjen e saj tejet të vështirë”.

Kryeministri u bën thirrje të gjithë qytetarëve të tjerë që duan të kalojnë drejt Greqisë, për t’u informuar me rregullat e reja që kanë hyrë në fuqi ditën e sotme.

U uroj nga zemra një qetësim sa më të shpejtë dhe rifillim normal të jetës së përditshme, të gjithë bashkëqytetarëve që e hoqën atë siklet të madh dhe u lutem të tjerëve në vijim, të ndjekin me vëmendje kriteret e përcaktuara në shtetin fqinj për kalimin e kufirit, e të mos nisen pa u siguruar se mund ta kalojnë kufirin pa siklete të ngjashme. Rrugë të mbarë udhëtarëve të fundit dhe ruani veten e të tjerët nga virusi i rrezikshëm Covid-19”. /tvklan.al