Është shprehur i kënaqur pas përfundimit të takimit me kryetarët e grupeve parlamentare, edhe pse marrëveshja e firmosur nuk ka marrë dakordësinë e plotë nga të gjithë.

Në një deklaratë para mediave pas takimit, kryeministri Edi Rama u shpreh se sot u firmos një marrëveshje për dakordësinë e 5 Qershorit me opozitën jashtëparlamentare, si dhe për hapjen e listave.

Rama tha se votimet do të bëhen më 30 Korrik, ndërsa tha se do të ishte mirë që të mblidhej Këshilli Politik dhe të diskutohet më tej për detajet, pasi sipas tij është hapur tashmë një diskutim.

Kreu i qeverisë tha së është i nevojshëm bashkëpunim mes palëve, për të arritur votimin e 30 Korrikut në unanimitet.

Sa i takon qëndrimit të Myslim Murrizit kundër marrëveshjes së 5 Qershorit, Rama tha se shpreson në reflektimin e tij, ndërsa shprehu bindje se këto ndryshime do të miratohen.

“Kemi bërë goxha debat për këtë pikë me Murrizin që qëndron stoik në refuzimin e tij, ndërkohë që kemi pasur sinjale inkurajuese nga dy grupet e tjera dhe besoj që, dhe pse do ishte mirë që dhe Murrizi të bashkohej, por sidoqoftë kam bindjen që do ta kalojmë ligjin”.

Ndërkaq, ditën e nesërme pritet që të miratohet futja në rendin e ditës për të gjetur një mbështetje sa më të gjerë, siç tha Rama.

“Kjo është marrëveshja dhe është Parlamenti që ka të drejtën të vendosë për gjithçka që është përtej 5 Qershorit, uroj nesër të mblidhet Këshilli Politik. Marrëveshja e nënshkruar sot dhe ajo e 5 Qershorit janë dokumente që nga letra, duhet të kthehen në materie ligjore, dhe do ta bëjmë në 23 dhe 30 Korrik”.

Rama i ka bërë edhe një herë thirrje kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe aleatëve të tij, që të mos refuzojnë tryezat e dialogut.

“I bëj apel Bashës dhe aleatëve, që të mos bëjnë gabimet e së shkuarës duke refuzuar tryezat dhe të vazhdojmë punën së bashku. S’jemi të detyruar të  biem dakord për gjithçka, por kemi shumë mundësi të biem dakord për shumëçka”.

I pyetur se cila ishte arsyeja e nxitimit për këtë marrëveshje dhe pse nuk u prit mbledhja e Këshillit Politik, Rama renditi disa pika.

Sipas tij, nxitimi vjen për shkak se në marrëveshjen e 5 Qershorit, janë disa elemente të cilat kërkojnë kohë për t’u realizuar, siç është votimi elektronik dhe zgjedhja e anëtarëve të KQZ. /tvklan.al