Në ditën e parë të Kongresit të Partisë Socialiste, që ju dedikua grave, Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një fjalim të shkurtër ku ka dhënë 3 porosi.

Kreu i PS ka kërkuar nga gratë socialiste që të insistojnë në idenë për të vendosur një bashkëkryetare në çdo organizatë dhe forum të Partisë Socialiste.

“Tre gjëra dua të them. E para, atë çështjen e sapo hapur të vendosjes së një gruaje apo një vajze bashkëkryetare në çdo organizatë socialiste, mos e lëshoni dhe mos toleroni që burra si ai që Majlinda Bufi pasi i vuri duart në fyt hëngri dajak ai jo ajo, atyre burrave bëjani si ja bëri Majlinda atij burrit. Sepse është themelore që organizatat socialiste të ndryshojnë. Dhe më besoni, jeni arma e fundit që imagjinata ime ka pjellë pas shumë e shumë reformash, sistemesh. Të gjitha nuk kanë funksionuar. Arma e fundit është forca, këmbëngulja dhe vendosmëria e grave socialiste që këtyre burrave t’u thonë vendin tuaj e keni, por është vetëm gjysma e vendit që kemi”.

Pika e dytë për të cilën foli Rama, ishte futja e teksteve të detyruara feministe në shkolla.

“E dyta, jam absolutisht i frymëzuar nga ajo që tha Besa për futjen e teksteve të detyruara feministe nëpër shkolla. Por nga e thëna në të bërë nuk është në mes një det i tërë, deti është më kollaj. Nga e thëna në të bërë, në mes janë burrat. Më vështirë se deti. Dhe për këtë arsye besoj që ajo nismë nuk është një nismë që mjafton si nismë institucionale dhe nuk mund të implementohet me sukses nëse ju të gjitha nuk jeni pas kësaj nisme në të gjitha nivelet ku përfaqësoni vullnetin e Partisë Socialiste. Është kaq e thjeshtë”.

Së fundi, nuk munguan batutat nga Kryeministri dhe shprehja e mirënjohjes për Gramoz Ruçin.

Dhe e fundit që kam, ka vetëm një gjë që nuk shkon në kongreset tona. Po sidomos në një kongres grash që duartrokasin për feminizmin . Nuk shkon të më thoni më zoti Rama. Aman ma hiqni këtë zoti Rama se më duket tmerr. Njëherë e një kohë unë i thosha Gramozit, zoti Gramoz, dhe ai më thoshte shoku Edi. Tani unë i them shoku Gramoz, ai më thotë z.Edi. Është aftësia e Gramozit për të kompensuar boshllëqet që lë unë, se në fakt ai është shoku më i mirë që unë kam në Partinë Socialiste. Por, hiqeni këtë zoti Rama”. /tvklan.al