Kryeministri Edi Rama ka folur sërish me tone të ashpra dhe ironike ndaj Presidentit Ilir Meta. Në mbyllje të fushatës së PS-së në Durrës, një nga dy qarqet ku kandidon kreu i qeverisë për 25 Prillin, ai u ndal tek rasti i denoncuar këtë të premte ku një kandidat i LSI-së shfaqet në disa filmime të regjistruara me kamera të fshehtë ku flet për blerjen e votave. Rama ironizoi me shprehjen e Metës për “prerje gishtash e duarsh” për ata që do të vjedhin votat. Ndërkohë ai vazhdoi më tej duke thënë, “ta kisha thënë o lëre rakinë o do të ta nxjerrin me zor”.

“Po sot, një deputet i Ilirit dhe i Monikës u kap me presh në duar. U kap duke blerë vota për llogari të Monikës. Unë thashë tani ‘dil Like rrëmbe sëpatën, shko priti duart’. Mirëpo Likja nuk doli. Dhe jo vetëm nuk doli, por lëshoi një postim. ‘Votoni, do jetë ditë feste, mos kini merak, ju vetëm votoni për demokraci, për vëllazëri’. O Like, Like… ta kisha thënë ‘o lëre rakinë o do të ta nxjerrin me zor’ dhe është më keq kur ta nxjerrin rakinë me zor se kur e lë vetë. Se kur e lë vetë e lë çikë e nga një çikë, kur e lë me zor e merr sfurkun dhe sëpatën e s’di ku t’ja gjesh vendin. Kuptove Like? Tashi mos dil më. Rri mirë aty ku je. Shumë mirë e the. Jam dakord me ty, ditën e diel do të jetë ditë feste, ditën e diel të gjithë këta luanët e dalë nga zgafellat e historisë do kthehen në lepuj që të gjithë. Ditën e diel, patronazhistët tanë, armata jonë e zemrave, mendjeve, e qytetarisë, e buzëqeshjeve dhe e fjalëve që i thuhen njerëzve nga njerëzit, jo me klithma”.

Rama u nda për të folur edhe për deklaratën e Xhelal Mziut që kërcënoi me përsëritje të ngjarjes  së Elbasanit nëse do të vidhen vota në Dibër. Rama tha se falja e tij nuk ka vlerë pasi PD-ja nuk ka kërkuar vlerë për vrasjen e Elbasanit.  

“Një fytyrë që duket sikur shekujt e kanë harruar mes nesh. Një fytyrë që është shëmbëlltyra më kuptimplotë, shëmbëlltyra më reale, më e prekshme, më e padiskutueshme e atyre që duan me çdo kusht të na kthejnë mbrapa. Ky troglodit, u tha disa njerëzve që ishin mbledhur aty që mjaftonte një telefonatë dhe ky bashkë me grupin e tij do të shkonin në vendin nga ku vinte telefonata dhe do bënin atë që bënë në Elbasan. Pastaj ky kërkoi falje. Falja e këtij nuk i duhet dreqit, jo shqiptarëve. Falja e tij ka një problem shumë të madh se ndërkohë që ky kërkon falje nga frika pasi ata që e kanë nxjerrë të kërkojë falje i kanë mbushur ato që s’thuhen në këtë rast, nuk kanë kërkuar akoma falje për atë që ndodhi në Elbasan. Kërkojnë falje për një fjalë shumë të rëndë e nxjerrë nga goja e një analfabeti funksional dhe nuk kërkojnë falje për atë që ndodhi në Elbasan”, tha Rama./tvklan.al