Rama: Marrëveshja e detit në Hagë, kërkesë e qeverisë sime



Rama: Marrëveshja e detit në Hagë, kërkesë e qeverisë sime

15:55 21/10/2020

Do të kërkojmë një marrëveshje të drejtë

Edi Rama zbulon se ishte kërkesa e qeverisë së tij dhe jo asaj greke t’i drejtoheshin një arbitri ndërkombëtarë për të ndarë hapësirën detare, kërkesë e cila nga qeveria Cipras nuk ishte pranuar.

“Nuk e ka hapur Greqia, e ka hapur Shqipëria. Për Greqinë, çështja e detit ka qenë e mbyllur me marrëveshjen e bërë me Saliun, me Lulin dhe me Ilir Metën. Atë çështje e rihapa unë, së bashku me PS në opozitë, pala greke ra dakord me ne. Me qeverinë e mëparshme nuk kemi arritur të biem dakord”.

Por cilat do të jenë pretendimet e Shqipërisë, që do të parashtrohen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë me selin në Hagë?

“Ne kërkojmë një marrëveshje të drejtë. Të tjerat janë skandale mendore, në funksion vetëm të pushtetit të ca mediokërve që duan me çdo kusht plaçkë në Shqipëri”.

Përfshirja dhe e emrit të Ilir Metës në grupin e atyre që Rama akuzon se kanë mbështetur marrëveshjen e 2009 ka ngjallur reagimin e tij. I cili përmes zëdhënësit i kujton Ramës se në 27 Prill të 2009, kur u nënshkrua ajo marrëveshje, Meta ishte në opozitë.

Tv Klan




Të ngjashme