Vera më e nxehtë e regjistruar në pjesën më të madhe të Ballkanit ka ndryshuar rrënjësisht vjeljen e rrushit në rajon këtë vit.

Prodhuesit  thonë se disa të korra do të jenë më të pakta në sasi, por cilësia do të jetë më e mirë. Në rajonin lindor Ilok të Kroacisë, prodhuesit e verës kanë filluar të mbledhin natën sepse rrushi fillon të fermentohet shumë shpejt kur mblidhet në vapën e ditës.

 “Më mirë është të punosh natën sepse nuk është shumë vapë, gjatë ditës temperaturat shkojnë mbi 40, prandaj natën është më mirë të punoj.”

Pranë qytetit të Backi Petrovac në veri të Serbisë, fermeri Rastislav Pucovski  kontrollon të korrat e tij.  Ai thotë se të korrat e misrit këtë vit kanë rënë për shkak të mungesës së shirave.

“Është koha e korrjes, një muaj përpara afatit. Vjelja e misrit ka filluar dhe gjendja mund të përshkruhet si katastrofike. Që nga 6 qershori, nuk ka pasur shi dhe temperaturat kanë shkuar  në gati 40 gradë Celsius. Të korrat e misrit janë ulur përafërsisht me 30%.”

Edhe në Bosnjën fqinje, kushtet atmosferike mund të përgjysmojnë rendimentin e misrit në 4,5-5 ton për hektar.

Por teksa temperaturat e larta kanë dëmtuar prodhimet në Bosnjë-Hercegovinë nuk mund të thuhet e njëjta gjë për rastin e Kosovës.

Në Kosovë, disa prodhues të verës filluan korrjen në gusht, pra një muaj më herët krahasuar  me vitin e kaluar.

“Nuk më kujtohet që kemi filluar ndonjëherë të mbledhim rrush kaq herët. Më parë, do të fillonim midis 3 dhe 5 shtatorit. Këtë vit filluam më 15 gusht. Por tani është në rregull, rrushi është shumë i mirë.”

Pronarët e shumë kantinave të verës në qytetin e Rahovecit u detyruan të gjenin më shpejt punëtorë. Megjithatë, ata thonë se cilësia e prodhimeve të tyre do të jetë shumë e mirë.

“Rendimenti këtë vit do të thyejë të gjitha rekordet si në sasi ashtu edhe në cilësi. Kushtet e motit ishin të mira. Vreshtat preferojnë motin e thatë dhe të nxehtë më shumë se sa shumë ujë. Megjithatë, jo thatësinë e tepërt.”

Këtë vit ekspertët thonë se do të jetë  një vit rekord si për cilësinë ashtu edhe për sasinë e vjeljes.

“Kemi pasur një rrush të cilësisë së lartë këtë vit. Përmbajtja e sheqerit që kemi matur tejkalon 24%. Është e rrallë të kemi këtë përqindje sheqeri. Të gjitha varietetet e rrushit kanë më shumë se 22, 23 ose 24% sheqer.”

Klan News