“Synojmë pagë minimale 40 mijë lekë”

Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të hënë se synimi i qeverisë në përfundim të mandatit të tretë është që paga minimale të shkojë në 40 mijë lekë. Kreu i qeverisë dha lajmin teksa shpalosi Planin e Veprimit 2021-2025 se nga Janari i vitit të ardhshëm do të hiqet taksa mbi pagën aktuale deri në 40 mijë lekë, ndërkohë që për momentin fasha është paga 30 mijë lekë.

“Sot kemi pagën minimale 300 mijë lekë 50% më shumë seç ishte kur morëm detyrën. Është më shumë seç ishte, por nuk mjafton. Plani është që ta rrisim atë çdo vit dhe të arrijmë padiskutim në 380 mijë, por duke synuar 400 mijë deri në fund të mandatit të tretë. Ata thonë do na çojnë në 360 mijë. Duke na dëgjuar deri në 25 Prill ta rrisin në 420 mijë. Ata nuk kanë plan për të qeverisur, por kanë një meny për të sajdisur për vota ku të mundin. Ne jo vetëm do të synojmë pagën 400 mijë lekë, por duke nisur nga 1 Janari i vitit 2022, pra i vitit të ardhshëm ne do ta heqim taksën mbi pagën aktuale deri në 400 mijë lekë, për sektorin publik dhe sektorin privat. Ky është planifikim financiar dhe jo premtim financiar. Nga viti i ardhshëm 63% e të punësuarve në Shqipëri nuk do të kenë taksë mbi pagën. Të gjitha do t’i çojnë në shtëpi. Sigurimet duhet t’i paguajnë të gjithë se ato nuk janë për qeverinë, por për të siguaruar pensionet dhe shëndetin e të gjithëve.”

Rama: Ulet tatim fitimi për ata që fitojnë 2.5 mln lekë në muaj

Po ashtu Rama deklaroi se do të shtyhet më lart fasha e taksimit 23% mbi pagën ndërkohë që atyre që marrin 2.5 mln lekë në muaj do t’u ulet tatim fitimi.

E dimë shumë mirë që ka një kategori shumë të lartë të punësuarish që për shkak të punës që është një punë më e kualifikuar marrin mbi 1.5 mln lekë në muaj dhe hyjnë në fashën e lartë të taksimit progresiv, 23% taksë mbi pagën. Ne do ta shtyjmë më lart këtë fashë taksimi dhe do ta ulim tatim fitimin për të  gjithë ata që marrin deri në 2.5 mln në muaj. Është masë e kërkuar me të drejtë nga një kategori punonjësish të kualifikuar dhe shumë të kualifikuar, por që tani më është e mundur. Kjo masë do të hyjë në fuqi në 1 Janar 2022. Kemi rritur pagën mesatare në administratë nga 580 mijë në 720 mijë lekë, do ta rrisim në 850 mijë lekë në muaj në mandatin e tretë”.

Kryeministri ironizoi edhe premtimet e opozitës dhe tha se bëhen për votime.

“Ata kanë zgjedhur rrugën e joshjesh elektorale me premtime kap ça të kapësh në votime. Kijeni parasysh se tonat janë masa të studiuara dhe të planifikuara për tu zbatuar nga qeveria ime, ndërsa të tyret janë premtime të lëshuara për t’i marrë era e vjeshtës së parë në qeverisjen e Lulit, Saliut, Ilirit, Monikës, Shpëtimit, Dashit, Mediut, Dules, Dukës, Nard Ndokës dhe Palokës dhe të të rë Çufove dhe Bubave kaçurrelë që janë mbledhur në atë çadër cirku ku nuk mungon deri tek Marku dhe Gjekmarku”.

Si tatohen pagat në Shqipëri

Paga 0-30 mijë lekë nuk tatohen
Pagat mbi 30 mijë lekë deri në 150 mijë lekë taksohen 13%
Pagat mbi 150 mijë lekë tatohen 23%

Si do të tatohen nga 2022-shi me planin e PS-së

Pagat 0-40 mijë lekë nuk do të tatohen
Pagat mbi 40 mijë lekë deri në 250 mijë lekë do të taksohen 13%
Pagat mbi 250 mijë lekë tatohen 23%

Rama akuza opozitës: E kanë çuar Shqipërinë për lesh dhie

Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të hënë Planin e Veprimit 2021-2025 për pagat dhe taksat. Kreu i qeverisë u ndal tek taksa progresive që ofron mazhoranca e tij dhe ajo e sheshtë që ofron opozita. Si shembull krahasimi mori biznesin e madh. Me taksën progresive, sipas Ramës, biznesi i madh ka paguar 460% më shumë për shtetin dhe qeverisjen.

“Bjerini pak lapsit është aritmetikë shumë e thjeshtë. Nga viti 2006 deri në vitin 2013, pra janë 7 vjet, falë taksës së sheshtë 10% ata kontribuuan për shtetin 86 milionë dollarë. Nga viti nga 2014 deri në 2019, pra në një kohë më të shkurtër, ata i paguan shtetit 481 milionë dollarë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë hodhi akuza ndaj opozitës dhe tha se me taksën e sheshtë i falen 200 milionë dollarë biznesit nga arka e shtetit në vend që të shkojnë për investime publike. Rama deklaroi se sa herë që Shqipëria ka qenë nën drejtimin e opozitës së sotme, liderët e saj e kanë çuar vendin për “lesh dhie”.

“Tani vjen dhëndri i Saliut dhe Ilirit, me qesen e Monikës, dhe me taborin e prishur të krushqve dhe me rikthimin e taksës  së sheshtë premton dhe u fal 200 milionë Dollarë nga arka e shtetit Pastaj kismet, si ndahet ky 200 milionëshi që në një mandat avullon për të pikuar mes tyre dhe pushtetit. Në vend se të shkojë për investime publike, e rritje pagash në shërbim të popullit. O njerëz a do ta kuptoni apo s’do ta kuptoni dhe kur do ta kuptoni, e kam me të gjithë ata që ende u shkojnë atyre pas që këta nuk janë as për ju, as për Shqipërinë, por janë vetëm për xhepin dhe rrethin e tyre siç kanë qenë gjithmonë sa herë u ka rënë Shqipëria në dorë dhe e kanë çuar për lesh dhie. Kushdo që të përfundojë si pulat e Gon Dukës që rriten me drita artificiale dhe përfundojnë për mish tavoline le të rrijë pakicë me pakicën sepse do të vazhdojmë të jemi me shumicën dhe për shumicën. Për atë shumicë që çon pagën e një pune të lodhshme në Shqipëri dhe jo për një pakicë që ka 2-3 dhe 5 shtëpi për t’u çlodhur”, tha Rama.

Rama: Pagat e mësuesve dhe mjekëve do rriten me 40% në mandatin e tretë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në daljen e tij publike se në mandatin e tretë do të rrisë pagat e mësuesve me 40% më shumë. Ai gjithashtu shtoi se edhe pagat e mjekëve do të rriten me 40% më shumë, teksa u shpreh se bluzat e bardha kanë njohur rritjen më të lartë historike në këtë mandat të dytë të PS-së

“Në këto dy mandate ne e ulëm taksën mbi pagën dhe e rritëm pagën e mjekëve dhe infermierëve në spitale me 63%. Të infermierëve dhe laborantëve në qendrat shëndetësore në 68%. Mjekëve të familjes me 57%. mësuesve 32%, punonjësve të Policisë së Shteti me 46%. Jam unë i pari, as mësuesit, as mjekët e policët që e di që megjithatë nuk mjafton dhe prandaj në mandatin e tretë, pagat e mësuesve do të rriten edhe 40 përqind më shumë, po ashtu me 40% do të rriten edhe ato të bluzave të bardha, që kanë njohur në fakt rritjen më të lartë historike në këtë mandate të dytë të PS-së”, tha Rama.

Denaj: 5 mijë euro grant për çdo emigrant që investon në Shqipëri

Ministrja e Financave, Anila Denaj tha këtë të hënë se qeveria ka në diskutim një ligj të ri që synon të nxisë idetë inovatore. Teksa së bashku me Kryeministrit Edi Rama prezantuan planin e pagave dhe taksave për 2021-2025-n, Denaj u shpreh se në mandatin e tretë qeveria synon që të vijojë të nxisë sipërmarrjen e të rinjve dhe të mbështesë emigrantët që dëshirojnë të investojnë në vendin tonë. Për këta të fundit, ministrja tha se do të ketë një mbështetje prej 5 mijë eurosh në formë grati.

“Sot kemi në diskutim një ligj të ri të start up-eve në fushën e inovacionit me objektiv të qartë nxitjen e ideve inovatore dhe zero taksa për 2 vitet e para. Në programin tonë ekonomik në mandatin e tretë, vijojmë të nxisim sipërmarrjen e të rinjve. Fondi i mbështetjes për sipërmarrjet e reja start up do të pesëfishohet. Do të mbështesim emigrantët të cilët do të tranferojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre në Shqipëri, përmes 5 mijë mbështetje në formë granti për çdo biznes të nisur nga një emigrant i kthyer.”

Nga 1 Janari, zero taksë për 90% të bizneseve

Në mandatin e saj të tretë, qeveria synon që të vazhdojë mbështetjen nga biznesit. Sipas Ministres së Financave, Anila Denaj, duke nisur nga 1 Janari, 90 përqind e bizneseve do të paguajnë zero taksë, rimbursimi i TVSH-së deri në 2023 do të jetë automatik dhe pagesa e taksave do të jetë vetëm dixhitale.

“Në mandatin e ardhshëm do të vazhdojmë të mbështetim dhe më tej biznesin. Prej 1 Janarit të këtij viti 90 përqind e bizneseve shqiptare do të paguajnë 0 taksa dhe inspektorët do të jenë një e shkuar për biznesin e vogël. Prej 1 Janarit të vitit 2023 rimbursimi i TVSH do të jetë automatik. Do të bashkojmë apelin tatimor dhe doganor në një dritare të vetme. Pagesat e taksave për të gjithë do të jetë vetëm dixhitale. Vizioni i Partisë Socialiste drejt dixzhitalizimit të ekonomisë sot është më i prekshëm.”/tvklan.al