Kryeministri Edi Rama u shpreh pak minuta më parë në një video në Facebook, se masat do të përshkallëzohen në vijim dhe kush nuk do t’i respektojë do të ndëshkohet.

Kreu i qeverisë tha se kush do të tentojë të bëjë manovra për të thyer rregullin për të mos qarkulluar me makinë, mund të humbasë përgjithmonë patentën.

Po ashtu ai u ka bërë thirrje të gjithë tregtarëve të produkteve ushqimore dhe farmaceutike, se nëse do të ketë rritje çmimesh këtë periudhë, mund të humbasin përgjithmonë të drejtën për ta ushtruar këtë aktivitet në vazhdimësi.

“Më vjen mirë që deri dhe vlonjatët nuk e kanë shkelur rregullin me shumë se të tjerët, fare pak.

Ky është vetëm fillimi i një lufte nervash që do të zgjasë, askush nuk e di sa do zgjasë por nuk do jetë e shkurtër.

Më shani mua sa të doni por masat do të shtohen bashkë me ndëshkimet.

Rrezikoni të humbisni patentën përfundimisht dhe të ndalohet për disa vjet të hyrja në kurse për ta rimarrë. Kush do luaj të zgjuarin për të rritur çmimin e ushqimeve dhe barnave, mund ta humbasë përgjithmonë të drejtën për të ushtruar më këtë treg”.

Ndërkaq kryeministri ka falënderuar të gjithë ata që i kanë respektuar rregullat e vendosura në mënyrë që të parandalohet përhapja e mëtejshme e koronavirusit.

Rama bëri thirrje që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi ndërsa tha se askush nuk e di sa do të zgjasë kjo periudhë, por tha se ishte vetëm fillimi i masave duke paralajmëruar se do të ketë masa të tjera shtrënguese.

Këtë komunikim Rama e ka bërë nga shtëpia e tij në Surrel, kur tha se po e shfrytëzon këtë kohë për të qëndruar me djalin e tij Zaho, që më parë nuk e ka pasur mundësinë për kaq kohë të gjatë. /tvklan.al