“Ndahemi nga RMV nëse nuk çelen negociatat”

Me ftesë të fondacionit gjerman Kober Stif-tung kryeministri Edi Rama dhe kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla morën pjesë një bashkëbisedim me parlamentarë të të gjitha forcave politike në Buntestagun gjerman, ku në fokus ishte e ardhmja europiane e Shqipërisë, si dhe ndikimi i luftës në Ukrainë në rajonin e Ballkanit.

Në Berlin, Rama u takua edhe me drejtuesit e dy forcave kryesore politike gjermane, Rolf Mutzenih të Socialdemokratëve dhe Friendrih Merz të kristiandemokratëve, ndërsa u prit në një takim edhe nga ministrja e jashtme, Analena Baerbok.

Në një intervistë për mediat pas kësaj vizite kreu i qeverisë theksoi se edhe ata që më parë ishin skeptik për çeljen e negociatave për Shqipërinë sot janë plotësisht të bindur që kjo duhet të ndodhë sa më parë.

Edi Rama: Patjetër kanë pasur skepticizëm, patjetër kanë pasur arsyet e tyre për të mbajtur një pozicion me regjit por për hir të vërtetës, pozicionimi i tyre sikundër ua thashë dhe sot, ka qenë një sfidë dhe një ndihmë në fund të fundit sepse nëse sot ata janë 100% mbështetës, nëse sot CDU-ja e tëra, vetë kryetari i ri i CDU-së thotë se Shqipëria është një histori suksesi në këtë fazë, patjetër ka shumë gjëra për të bërë në faza të tjera. Kjo është edhe për meritën e tyre që na kanë sfiduar me qëndrimet e tyre.

Rama tha se u kishte bërë të qartë edhe deputetëve gjerman vendimin që ka marrë Shqipëria për të kërkuar ndarjen nga Maqedonia e Veriut nëse brenda Qershorit nuk çelen negociatat.

Edi Rama: E kam diskutuar me të gjithë edhe faktin që ne kemi vendosur që do të ndryshojmë kurs, në momentin që me gjasë Këshilli Europian i qershorit nuk do të arrijë dot tëçajë murin e vendosur nga Bullgaria për Maqedoninë e Veriut. Deri atëherë ne do qëndrojmë në pozicionin që duhet, pra të hapen negociatat formalisht për të dyja. Në rast se edhe atëherë ne do të mbetemi peng i një situate që nuk ka lidhje fareme ne, nuk ka lidhje fare me punën tonë, nuk ka lidhej fare me asgjë që ka të bëjë me Shqipërinë, atëherë ne do ndryshojmë kurs e do kërkojmë me insistim qëShqipëria të trajtohet veç.

Rama vlerësoi edhe votimin e parlamentit europian të progres-raportit për Shqipërinë, duke theksuar faktin se ndryshe nga më parë ai u miratua pa asnjë rezervë.

Tv Klan