Kur jehona e debatit kundër importit të mbetjeve vijon edhe pse ligji kaloi në Parlament dhe pritet te hyje në fuqi, kryeministri Edi Rama vazhdon përpjekjen për të shpjeguar arsyet e miratimit të tij, që siç thotë nuk ka asnjë lidhje me ligjin që shfuqizoi sapo u ul në karrigen e kryeministrit në shtator të vitit 2013.

I shoqëruar nga ministri i Financave dhe ai i Mjedisit, kryeministri foli vetë përpara sipërmarrëseve të industrisë ricikluese, duku u përpjekur të jap përgjigje për këtë shqetësimi qytetar.

Kryeministri garanton se ligji, i cili thotë ai është shumë i kufizuar në lëndët që lejon për importin e mbetjeve krahasuar me të gjitha vendet e tjera evropiane, ka për qellim vetëm riciklimin e tyre.

Sipas tij mekanizmat e ngritura për kontrollin e të gjithë mbetjeve, që do të hyjnë në doganën e Durrësit fillimisht dhe me vonë edhe në 2 pika të tjera doganore, shmangin në mënyrë absolute rrezikun e importit të mbetjeve radioaktive.

Për kryeministrin Rama kundërshtia që vjen nga shoqatat e ambientalistëve dhe qytetaret është e bazuar e gjitha në mungesën e informacionit mbi këtë industri, por dhe manipulimi politik nga sharlatanët, siç i etiketon ai të gjithë kundërshtarët e këtij ligji./ TV KLAN