Kryeministri Edi Rama ka shkuar në Presidencë këtë të hënë. Kreu i qeverisë ka zhvilluar një takim me kreun e shtetit, Bajram Begaj.

Siç duket në këtë video të siguruar nga gazetarja Klesiana Omeri në përfundim të takimit, Begaj e ka shoqëruar Ramën në dalje të Presidencës.

Në një lidhje live për Klan News, gazetarja Omeri ka dhënë disa detaje nga ky takim. Sipas gazetares takimi mes dy krerëve të shtetit është konsideruar informal pasi nuk ka qenë në axhendën e Presidentit dhe as në atë të Kryeministrit. Ka qenë takim “kokë më kokë” ndaj nuk ka shumë detaje rreth çështjeve të diskutuara.

Ajo që dihet është se ky takim i zhvilluar në zyrën e kreut të shtetit, nuk ka zgjatur më shumë se 30 minuta. Gazetarja e Klan News, gjithashtu ka thënë se në këtë takim pjesë e diskutimit mendohet të ketë qenë çështja e sigurisë, për  shkak të sulmeve kibernetike të cilat krijuan një situatë kaotike në vendin tonë.

Po ashtu në fokus besohet të ketë qenë edhe çështja e zgjedhjeve pasi ende Presidenti nuk ka caktuar një datë për zgjedhjet vendore. Në mbledhjen e fundit të Partisë Socialiste si datë është menduar data 12 Mars, por ende nuk është bërë një propozim zyrtar.

Kujtojmë që më herët, Presidenti Begaj mori pjesë në një ceremoni me rastin e 25-vjetorit të Shkollës së Magjistraturës. Megjithatë, ai nuk qëndroi deri në fund të kësaj ceremonie për shkak të angazhimeve të rëndësishme.

Ndërkohë, Rama para këtij takimi mori pjesë në një kongres ndërkombëtar nanoteknologjie që zhvillohet në Tiranë. /tvklan.al