Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të enjte një konferencë për shtyp me ministrin gjerman për Europën, Michael Roth. Duke folur për opozitën, Rama tha se “kur të flasin anglisht duhet të jemi të gjithë shqiptarë”. Sipas kryeministrit, të gjitha palët duhet të përpiqen që të merren vesh më mirë me njëri tjetrin dhe të kalojnë fazën e adoleshencës në politikë.

“Ne duhet të bëjmë punën tonë. Duhet të përpiqemi ta bëjmë çdo ditë e më mirë. Një nga gjërat që duhet të bëjmë më mirë është edhe përpjekja për t’u marrë vesh me njëri-tjetrin, jo për të rënë dakord, por për t’u marrë vesh, për t’u kuptuar kur flasim me njëri tjetrin. Për t’u bërë pak më të mëdhenj, për ta kaluar fazën e adoleshencës politike dhe të sherreve prej adoleshentësh që pastaj i eksportojmë në Bundestag, Bruksel, Paris, i eksportojmë nëpër botë. Kush fiton këtu, fiton prapë, kush humbet këtu humbet prapë. Por nga ky eksport humbet Shqipëria në fund. Fitorja jonë që ishim, jemi dhe do të jemi në qeveri dhe humbja e atyre që janë dhe do të jenë në opozitë është shumë pak shumë pak në krahasim me çfarë nuk fiton dhe humbet Shqipëria. Nuk mund të presim miqtë nga jashtë që thonë silluni pak më mirë me njëri-tjetrin, por duhet ta bëjmë këtë nëse jemi të vërtetë kur themi që jemi gati të bëjmë gjithçka për Shqipërinë. S’po kërkon njeri që të japim jetët këtu, as të marrim armët dhe të luftojmë me armiq gjëkundi, as të bëjmë sakrifica sublime. Këtu është një kërkesë shumë alarmante, e kahershme sepse po u themi hapni Konferencën e Parë Ndërqeveritare dhe duhet t’i hapim jo vetëm për reformat, por sepse jemi maturuar. Kush flet në emër të këtij vendi nuk është vetëm qeveria, por edhe opozita. Kur flasim anglisht se gjermanisht nuk di njeri këtu, duhet të jemi shqiptarë në radhë të parë dhe pastaj socialistë e demokratë. Kur flasim shqip jemi edhe socialistë, edhe demokratë, por nuk duhet të harrojmë që jemi shqiptarë”, tha Rama./tvklan.al