15 minuta ka zgjatur takimi mes Kryeministrit Edi Rama dhe Ilir Metës në zyrat e Presidencës, ku u diskutua për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Sikurse ishte paralajmëruar, Rama mbërriti në zyrën e kreut të shtetit ekzaktësisht në orën 11:00. I shoqëruar nga kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, Rama ka zhvilluar bisedë të shkurtër me Presidentin për këtë çështje.

“Unë mendova të zhvillonim konsultime për datën e zgjedhjeve me qëllim për të ndihmuar sa më shumë drejt procesit, sa më gjithëpërfshirës. Do të isha shumë i interesuar të dëgjoja dhe mendimin tuaj si përfaqësues të Partisë Socialiste dhe mazhorancës”, është shprehur Presidenti Ilir Meta.

Pas përfundimit të takimit, Kryeministri Edi Rama nuk ka bërë asnjë koment rreth datës së zgjedhjeve.

Sipas burimeve, mësohet se Partia Socialiste është dakord për çdo datë me përjashtim të 2 Majit.

Më herët, Meta priti në takim edhe përfaqësues të forcave të tjera politike. 

Me ndryshimet e reja në kodin elektoral, mazhoranca dhe opozita ranë dakord që zgjedhjet e përgjithshme të mbahen në periudhën nga 15 Prilli deri në 15 Maj. /tvklan.al