Kryeministri Edi Rama ka dënuar raportin e Dick Marty për krimet e pretenduara të trafikimit të organeve gjatë luftës në Kosovë, për të cilat sot qëndron në burg ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe të tjerë ish-zyrtarë e ish-luftëtarë të UÇK-së.

Gjatë fjalimit që mbajti në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Kryeministri Edi Rama kërkoi nga Kombet e Bashkuara që të pranojnë kërkesën e Shqipërisë për të pasur një tjetër raport dhe për të mos akuzuar pa prova ish-luftëtarët e UÇK-së, të cilët ende sot janë prapa hekurave dhe po gjykohen në Hagë.

“Sa përmendet Ballkani vë bast që në mendjen e gjithkujt vijnë imazhet e luftërave të përgjakshme. Drejtësia qëndron në themelet e çdo përpjekje për një paqe afatgjatë, por drejtësia shërbehet me prova, dhe jo me trille. Dhe nuk mundet të mos ndaj një shembull të tmerrshëm. Në vitin 2011 Asambleja Parlamentare e KiE miratoi një raport përpiluar nga Dick Marty ku akuzohet UÇK për krimin e neveritshëm të trafikimit të organeve.

Martyn duhej të ishte paguar si tregimtar, por kurrë të besohej. Raporti i tij ishte tronditës. U shndërrua në faktorin kyç të ushqimit të idesë dhe ngritjes së dhomave të specializuar të gjykatës për Kosovën. Çdo përpjekje hetimore u bë gjatë këtyre 11 viteve të gjata për t’i vërtetuar këto akuza. Por më kot. Asgjë.

Asnjë grim prove a treguesi nuk u gjend askund që kishte të bënte me trafikimin e pretenduar të organeve. E megjithatë, dhomat e specializuara kanë arrestuar pa padi Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi. Ai priti një vit në burgim deri sa u akuzua zyrtarisht. As edhe një fjalë e vetme e gjithë aktakuzës nuk ka të bëjë me raportin e KiE për krimin e pretenduar të trafikimit të organeve. Një fantazi e tërë.

Kjo është dështim monumental dhe nuk ka të bëjë me një person, ka të bëjë me njollosjen e përshtatshme të një vendi dhe historisë së tij. Ne mendojmë dhe shpresojnë që Asambleja e OKB do të nderojë të vërtetën dhe pranojë kërkesën e Shqipërisë për ta pasur raport vijues, ndërkohë që dëmi është bërë, të ndihmojë të rivendosë besueshmërinë. Ne kurrë nuk do të heqim dorë nga kjo e vërtetë”, deklaroi Kryeministri Edi Rama. /tvklan.al