Firmosen 6 marrëveshje, Erdogan: Rrisim volumin tregtar në 2 mld USD

I shoqëruar nga afro gjysma e kabinetit të tij qeveritar, Kryeministri Edi Rama e nisi vizitën zyrtare në Ankara fillimisht duke bërë homazhe në Mauzoleumin e Mustafa Qemal Ataturkut, themeluesit të shtetit të Turqisë.

Më pas, delegacioni i lartë shqiptar u prit në një ceremoni zyrtare ne Kompleksin Presidencial nga Presidenti turk Rexhep Taip Erdoan.

Pas takimit të dy delegacioneve, Rama dhe Erdoan bashkëdrejtuan mbedhjen e parë të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të lartë midis dy vendeve.

Në deklaratën për mediat, Erdoan vlerësoi marrëdhëniet dhe partneritetin strategjik, duke theksuar se marrëveshjet e nënshkruara do ta forcojnë akoma më tej.

“Përforcuam bazën juridike të bashkëpunimit tonë. Volumi tregtar ka arritur në 1 miliard Dollarë, objektivi ynë është ta çojmë në 2 miliardë Dollarë. Kam besim se do ia arrijmë në një kohë shumë të shkurtër”.

Erdogan sakaq kërkoi luftë kundër grupit FEETO në Shqipëri.

“Pjesë e axhendës sonë ishte dhe pastrimi i mbetjeve të FETO-s e cila vijon aktivitetet e saj me qëllim për t’i hedhur hije marrëdhënieve tona. Ne nuk do ta lejojmë që kjo të arrijmë. Edhe autoritetet shqiptare janë të vetëdijshme per këtë. Lufta jonë me këtë strukturë do të vijojë”.

Kryeministri Edi Rama tha se Turqia e ndihmoi Shqipërinë dhe Kosovën në 3 momentet kyçe.

“E para, falë jush Kosova u njoh si republikë e pavarur pak minuta pasi parlamenti i saj shpalli Pavarësinë.

E dyta, kur Shqipëria u godit nga një tërmet me pasoja jashtëzakonisht të rënda, ju ishit i pari që komunikuat me mua, më thatë që sa të jetë Turqia, Shqipëria nuk do jetë kurrë vetëm dhe ndërmorët iniciativë publike për filimin e ndërtimit të 500 apartamenteve të reja.

E treta, kur Shqipëria bashkë me popujt e tjerë të rajonit tonë u ndjenë si peshku pa ujë në momentin kur bota u godit nga coronavirusi, dhe teksa shikonim nëpër ekranet e televizioneve europiane fillimin e vaksinimit në Europë, nëse nuk do ishte Turqia dhe nëse nuk do ishit ju personalisht kush e di se sa njerëz do kishin humbur jetën. Dhe këto janë 3 momente mes jetës dhe vdekjes që nuk harrohen dot kurrë”.

Ashtu siç mbajti premtimin për ndërtimin e Spitalit të Fierit, Rama kërkoi që miku i tij Erdogan të mbante fjalën për hapjen në Tiranë të Universitetit të njohur të Stambollit dhe rritjen e investimeve turke.

“Mezi presim që të materializohet projekti që do të sjellë Universitetin Teknik të Stamboillit në Tiranë, një xhevahir i ekselencës turke në arsim, i mirënjohur botërisht, që do u japë mundësi studentëve që të aksesojnë një universitet të një niveli botëror. Investimet turke janë të mirëseardhura, kemi arritur në shifrën e 3.7 miliardë Eurove, por potenciali është për shumë më tepër. Volumin tregtar duhet ta ngremë mbi 1 miliard Euro dhe këtu do ishte mirë t’ju propozoja të vinim bast. Faleminderit shumë edhe për lejet e drejtimit që juve i miratuat”.

Kryeministri Rama dha dhe një zgjidhje sa i përket zhvillimeve në Gaza.

“Ne jemi të bindur që është koha për një armëpushim i cili duhet lidhur me lirimin e pengjeve dhe duhet garantuar nga një forcë e përbashkët e 5 vendeve të Lindjes së Mesme dhe Turqisë. Turqia është një aktor i pazëvendësueshëm në garantimin e të nesërmes për Gazën dhe për Izraelin vetë së bashku me 5 vendet e tjera; Arabinë Saudite, Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordaninë dhe Egjiptin. Nëse ne ndajmë të njëjtën pikëpamje për domosdoshmërinë e dy shteteve, kjo zgjidhje kërkon garancitë e veta dhe një bashkim forcash i vendeve arabe me Turqinë në kushtet kur nevoja për garanci është kaq e madhe saqë pa të do të jetë e pamundur që të ketë çfarëdolloj kthimi tek arsyeja”.

Mes Shqipërisë dhe Turqisë u nënshkruan 6 marrëveshje për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushat ushtarake, në mbrojtjen e mjedisit, në fushën e medias.


MARRËVESHJET E FIRMOSURA MES DY VENDEVE

Memorandumi i Mirëkuptimit për bashkëpunim ne fushën e mjedisit.

Memorandum Mirëkuptimi për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe zonave të mbrojtura.

Marrëveshje ndërmjet KM të RSH dhe Qeverisë së Turqisë mbi statusin e zyrës së koordinimit të programit TIKA Tirana.

Marrëveshje kuadër ushtarake ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë.

Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Qeverisë së RSH dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë në Fushat e Medias dhe Komunikimit për komunikimin dhe informimin publik.


Tv Klan