Gjatë vizitës në Gjirokastër, një pedagoge e universitetit “Eqerem Çabej” ngriti shqetësimin e uljes së numrit të studentëve. Kryeministri Edi Rama tha se arsimi i lartë ka nevojë për reflektim brenda sistemit. Ai u shpreh se reforma për Arsimin e Lartë u ka dhënë autonomi këtyre institucioneve dhe ato duhet ta venë në dispozicion, por me përgjegjësi.

Rama u shpreh se universitetet duhet të ndryshojnë qasjen dhe të krijojnë programe që i kërkon tregu i punës. Ai ironizoi qeverinë e kaluar për politikat në arsimin e lartë.

“Tek pyetja që bëtë ju është një bisedë e gjatë, por unë mendoj që arsimi i lartë ka nevojë për një reflektim brenda sistemit. Ne kemi bërë një reformë ku kemi hedhur një hap shumë kurajoz për t’u dhënë autonomi që nuk e kanë pasur asnjëherë. Autonomia është përgjegjësi dhe liri më shumë. Unë nuk e kuptoj se pse disa universitete duan t’i rezistojnë kësaj gjëje duke shtuar numrin e programeve dhe duke shtuar listën duke i bërë të gjitha. Si mund ta bësh këtë? E para njëherë ne do të refuzojmë shtimin e programeve si pa të mirë. Nga ana tjetër, kjo nuk çon në zgjidhje të problemit. Universiteti i Gjirokastrës duhet të reflektojë se çfarë duhet të ndryshojë dhe çfarë duhet të ofrojë. Këtu kam insistuar dhe të mos humbim më kohë për të ndërtuar kolegjet profesionale. Për të kaluar në një fazë që të kemi edhe kolegjet profesionale, fasha e ndërmjetme që do t’u japë njerëzve që të kenë një profesion të kualifikuar, jo thjesht shkolla profesionale, por më shumë se aq që të jenë të aftë për tregun e punës. Çfarë nevojë ka tregu sot për të shtuar vendet për juridik? Është thjesht iluzion për të rinjtë që hajde bëhu jurist që të bëhesh avokat. Në fakt shtohet numri i të papunëve. Si do të gjendet vendi i punës kur vendi nuk ka nevojë për aq shumë juristë sa ka vendi sot.

Kjo është pasojë e asaj politike ku u shpërthyen dyert e universiteteve, e diplomave dhe iu thanë të rinjve hajdeni merrni një diplomë. Universitetet duhet t’i shërbejnë qeverisë se çfarë do tregu. Çfarë mund të ofrojmë ne që të thonë njerëzit do vij në Gjirokastër dhe me këtë diplomë do gjej punë. Si ka mundësi që në këtë kohë, kur trendi i zhvillimit e tregon shumë qartë që nevoja për kodim, nevoja për një sërë komponentësh të tregut dixhital, të tregut të pafundëm të IT-së nuk ka programe. Pse nuk vjen Gjirokastra dhe të thotë ne duam të shtojmë një komponent të veçantë IT. Kështu duhet synuar dhe jo duke pritur çfarë duhet të bëjë qeveria.

Universitetet duhet të reflektojnë dhe duhet ta venë autonominë në dispozicion të vetes së tyre. Nuk është autonomia që unë bëj çfarë të dua dhe hallet e mia do i zgjidhësh ti. Ka shumë për të bërë dhe ka një potencial shumë të madh. Duhet të vazhdojë të ndryshojë qasja”, tha Rama./tvklan.al