Kryeministri Edi Rama ka zbardhur të gjithë çështjet e diskutuara në mbledhjen me kryebashkiakët e vendit në Shkodër. Në një prononcim për mediat, kryesocialisti Rama ka thënë se një nga çështjet ku është fokusuar ky takim ka qenë edhe rritja e pagave për punonjësit e administratës për bashkitë më të vogla.

Edi Rama: Kemi diskutuar për një sërë temash me rëndësi që përbëjnë dhe pikat e referimit për ecurinë e mëtejshme të procesit të anëtarësimit në BE pasi është një proces që siç e kam thënë dhe nuk duhet të mëziteni nëse do të dëgjoni ta përsëris shpesh, kërkon angazhimin, këmbënguljen dhe rezultate nga të gjithë sepse nuk integrohet qeveria në BE, por Shqipëria. Puna e qeverisë është shumë e rëndësishme, por është një pjesë e punës. Jemi në nevojën e madhe të rritjes së ritmit, të përshpejtimit të procesit të modelit të qeverisjes në të dyja nivelet dhe të rritjes së cilësisë së kapitalit njerëzor.

Kemi diskutuar një sërë temash. Ministria për Pushtetin Vendor ka bërë një parashtrim duke u nisur nga momenti i fillimit të zbatimit të reformës administrative-territoriale, një sërë të dhënash mbi këtë reformë tregoi qartë se ka qenë gjëja e duhur, por nga ana tjetër kemi disa sfida me rëndësi, ndër të cilat kemi sfidën e përafrimit të performancës së njësive të pushtetit vendor me mbështetjen nga qeveria. Kemi sfidën e një mesatareje të arsyeshme të performancës në të gjitha bashkitë sepse ka nivele të ndryshme, por nganjëherë me diferenca të forta.

Kemi domosdoshmërinë e rivlerësimit të pagave të bashkive sepse sot janë të ndara në 5 nivele duke u bazuar tek numri i banorëve. Ne do të kalojmë në 2 nivele dhe do të bëjmë një rritje të pagave për t’i përafruar mundësitë e shpërblimit të punonjësve në bashkitë e nivelit të dytë me ato të nivelit të parë, në mënyrë që ajo që po e përjetojnë një pjesë e bashkive që nuk arrijnë dot të punësojnë specialistë për shkak të pagesë së ulët, kjo barrë të lehtësohet në mënyrë të arsyeshme.

Sfidën e një mbledhje uniformë të taksës së pronës. Po ashtu, të një performancë në mbledhjen e tarifës së pastrimit. Kemi diskutuar për domosdoshmërinë e një qasje të re të bashkive ndaj një pasurie të madhe që janë pyjet. Pasi kemi garantuar një nivel të arsyeshëm mbrotjeje të pyjeve nga keqpërdorimi i kësaj pasurie, na duhet që këtë pasuri në dispozicion të rritjes ekonomike të vendit, duke filluar nga rritja ekonomike e bashkive. Kemi një plan që të gjitha bashkitë të kenë plan të mbarështimit të pyjeve. 65% e bashkive nuk kanë plane të tilla, alarmante.

Kemi diskutuar se çfarë sjell për bashkitë hyrja e Shqipërisë në këtë fazë të re, bisedimit për anëtarësimin dhe për Planin e ri të Rritjes që e angazhon Shqipërinë me një sërë programesh. Kemi diskutuar dhe për strukturën përkatëse për të shkruar dhe për të aplikuar me projekte që do të mund të sjellin të ardhura shtesë për bashkitë.

Kemi diskutuar për lehtësimin e procedurave të lejeve të ndërtimit në fshat. Që të mos kenë të njëjta procedura si ato të qytetit apo të zonave që kanë rëndësi nga pikëpamja e mbrojtjes së natyrës dhe për një qasje të koordinuar me bashkitë për procesin e legalizimeve të mbetura. Kemi një numër jo të vogël që për arsye jo dhe aq të pakuptueshme janë në bllokun e fundit të këtij procesi, por besoj se do i japim një shtysë më të madhe procesit. Në Kadastër, përmirësimet që bëhen me sistemin e shërbimit për hipotekën nuk ecin paralelisht me përmirësimin që do të bëjmë për legalizimet, na duhet dhe ndihma e bashkive.

Kemi folur për një program të madh për dixhitalizimin e bashkive dhe do të investojmë 50 milionë Euro në bashkëpunim me Bankën Botërore. Jemi fokusuar tek sezoni turistik. Shifrat e 2 muajve të parë janë përtej çdo parashikimi dhe nëse trendi do të vazhdojë kështu, atëherë numri i 10 milionë turistëve të vitit të shkuar, do të rritet në mënyrë të ndjeshme, çka do të thotë një rritje shumë e ndjeshme e volumit të mbetjeve që duhen trajtuar.

Kemi diskutuar dhe për kalendarin e ri kulturor dhe artistik që do të jetë më i pasur dhe kemi dëgjuar gjatë gjithë ditës të gjitha opinionet dhe sugjerimet e kryetarit të bashkive për çështje si këto që thashë. Një tjetër pikë ka qenë edhe ringjallja e aseteve të vjetra. Shkolla të vjetra, godina të braktisura, reparte ushtarake të mbetura në zona të caktuara për t’i futur në ekonomi përmes projekteve të pushtetit vendor. Ka qenë një mbledhje për detyrat e përbashkëta të shtëpisë.


Marrëveshje mes opozitës dhe mazhorancës për komisionet hetimore? Rama: Kemi refuzuar iniciativat që binin ndesh me Kushtetuesen

Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës për shtyp në përfundim të takimit të ditës së sotme mes 61 kryebashkiakëve dhe qeverisë që u mbajt në Shkodër, u pyet nga gazetarja e Klan News edhe lidhur me marrëveshjen e përfolur me opozitës dhe mazhorancës sa i takon ngritjes së komisioneve hetimore.

Rama u shpreh se nuk ka nevojë për marrëveshje për të ngritur komisionet hetimore, por mjafton që këto komisione të jenë brenda kornizave të vendosura nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me komisionet.  

Edi Rama: Unë realisht nuk e kuptoj nëse ata të cilët komentojnë marrëveshjen për ngritjen e komisioneve hetimore nuk kuptojnë apo bëjnë sikur nuk kuptojnë sepse ne e kemi thënë, ne nuk kemi refuzuar dhe nuk kemi shkelur asnjë të drejtë për ngritjen e komsioneve hetimore. Kemi refuzuar të votojmë iniciativa që në emrin e komisionit hetimor shkelin kornizën e mirëpërcaktuar nga vendimet e Gjykatës Kushetuese. E kemi thënë kjo nuk është çështje marrëveshjesh as negociatash, kjo është çështje të drejtash. Opozita ka të drejtë të ngrejë një komision hetimor, por brenda kornizës. Çdo iniciativë që është e tillë ka miratimin tonë, nuk ka nevojë asa për marrëveshje as për negociata dhe diskutimet për këtë bëhen në komison kur paraqitet iniciativa. Kanë kaluar disa muaj që sa i përket Komisonit të Reformës Zgjedhore është një praktikë që ka dalë nga konteksti i kohës që jetojmë dhe me mbarimin e afatit të paktën ne, PS ato gjëra që do ti adresonim përmes Komisonit të Reformës Zgjedhoredo ja lejmë në tryezë Kuvendit dhe nëse do të ketë të tjera propozime do t’i lejnë e nëse do ketë vota do ketë vota, nëse sdo ketë vota do bëjmë zgjedhje me ligjin ekzistues sepse janë të mundura të bëhen.

Ndërkohë sa i përket ftesës së kryebashkiakëve të djathtë Rama u shpreh se është një gjë krejt normale ku shprehu dhe vlerësimin e tij për këto të fundit.

Edi Rama: Sa i përket ftesës, me të gjithë kryetarët e bashkive është krejt normale aq më tepër që në gjithë këtë periudhë kam parë me kënaqësi që kryetarët e bashkive kanë bërë detyrën e tyre dhe më vjen mirë që janë kryetar të bashkisë dhe jo altoporlantë partie.


“Beleri”, Rama për reagimet e Greqisë: Do kishte qenë e udhës që drejtësia shqiptare të ishte lënë e qetë

Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës për media i pyetur lidhur më çështjen e Fredi Belerit, nënvizoi se është një çështje që i takon drejtësisë dhe se është mirë që të pritet vendimi i Apelit.

Rama u shpreh se do kishte qenë e udhës që drejtësia shqiptare të ishte lënë e qetë duke iu referuar këtu reagimeve nga Greqia për vendimin ndaj Belerit.

Edi Rama: Ju e dini shumë mirë këtë çështje dhe arsyen pse ne skemi pasur zgjedhje. Ka qenë thjeshtë dhe vetëm një qasje e vullnetit të mirë nga ana e Shqipërisë. Do presim vendimin e Apelit. Zgjedhjet e reja nuk i shpall kryeministria por Presidenti i Republikës. Do ndiqet ligji dhe standartet demokratike. Do kishte qenë e udhës që drejtësia shqiptare të ishte lënë e qetë siç e kemi lënë ne të qetë për të gjitha çështjet brenda nga cilidoqoftë jashtë Shqipërisë sepse është drejtësia shqiptare që vendos për çështjet që lidhen me qytetarë të Republikës së Shqipërisë dhe zotëria ëshët qytetar i Republikës së Shqipërisë. Nuk është as mbi të tjerët as nën të tjerët dhe ligji është i barabartë për të gjithë dhe për ne tingëllon paksa cingërisëse që të degjojmë zëra në gjuhë të huaj që komentojnë vendimet e gjykatave të Shqipërisë.


“Thumanë-Kashar në 30 Qershor i kalueshëm”, Rama: Do të kemi një kantier total që do hapet nga veriu në jug

Segmenti rrugor Thumanë-Kashar sipas kryeministrit Edi Rama do të jetë i kalueshëm në datën 30 Qershor të këtij viti. Në një konferencë me gazetarët pas takimit që ka zhvilluar me kryebashkiakët e vendit në Shkodër, kryeministri Rama ka thënë se do të kemi gati një kantier total që do të hapet nga veriu në jug.  

Edi Rama: Puna për projektet fillon më para se projektet duken dhe faktikisht ne kemi gati një numër segmentesh që janë mbi dhe nën Thumanë-Kashar që besojmë që në 30 Qershor do të bëhet i kalueshëm dhe për të ju dhënë një shembull të thjeshtë, kini parasysh se projektet e infrastukturës marrin një kohë më të gjatë dhe në vende më të zhvilluara se ne. Kemi pasur nevojë për disa korrektime të natyrë juridike në kontratat. Janë bërë garat, është gjithçka gati dhe do të kemi një kantier total që do të hapet nga veriu në jug.

Segmenti i fundit që është në fazë projekti, është segmenti nga Shkodra që lidhet poshtë me të gjithë segmentet e tjera, Milot-Balldren, pastaj vjen Fieri dhe në fund lidhet me Vlorën, e gjithë kjo do të jetë një rrugë e re, do të ketë dy alternativa, me pagesë dhe pa pagesë. Hapja e Thumanë-Kasharit do të lehtësojë shumë këtë sezon. Pastaj do të jetë përfundimi i të gjithë segmentit. Është e vështirë për të kaluar, torturuese për të gjithë ata që e përshkojnë këtë segment. Jam optimist që kantieret do të jenë të hapura dhe presim projektin për të hapur kantierin që shkon deri në Muriqan. Kemi marrë dritën jeshile për financimin e hekurudhës deri në Han të Hotit.

Po bëjmë dhe studimin e rrugës që na lidh me Prishtinën duke kaluar nga Shkodra. Jemi në një Shqipëri tjetër përsa i përket gjithë kësaj zone. Ari më i pastër i minierës shqiptare janë malet, kjo do të kërkojë kohën e vet për një mijë e një arsye dhe për këtë arsye po punojmë që edhe infrastrukturën e maleve ta përgatisim, ndërkohë që në Shkodër do të bëjmë shumë punë. Kemi filluar disa projekte të reja. Kemi bërë gati financimet për të filluar me lagjen e Zdrales, për rikthimin në jetë të stadiumit. Shkodra do të jetë e shkëlqyer sërish.


Rama për kundërshtarët politikë: Kryebashkiakët nuk më duken të djathtë, por të zgjedhur që vënë kalin para karrocës

Kryeministri i vendit, Edi Rama ka thënë se kryebashkiaku i Pogradecit është ankuar për diskriminim gjatë takimit që ka pasur me kryetarët e bashkive të vendit në qytetin e Shkodrës.

“Për hir të së vërtetës, kryetari i Bashkisë së Pogradecit ishte ai u ankua për diskriminim. Kryetari i Bashkisë së Pogradecit është një nga kryebashkiakët më punëtorë, më efektivë, më efikasë dhe ai pati një kritikë në adresë të një ministrie për diskriminim. Nuk dëgjova asnjë tjetër të ankohet. Unë e kuptoj që çdo kryetar bashkie nuk do të ishte një kryetar i duhur bashkie nëse nuk do të ankohej që pse nuk marrim më shumë”, u shpreh Rama.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama është shprehur për kundërshtarët politikë se nuk i duken të djathtë, por thjesht të zgjedhur që bëjnë punën e tyre dhe që nuk vënë karrocën para kalit, por kalin para karrocës.

“Ne nuk kemi asnjë arsye që t’i shikojmë kryetarët e bashkive, ju thoni të djathtë, por mua më duken thjesht të zgjedhur që bëjnë punën e tyre dhe që siç e thashë, nuk e vënë karrocën para kalit, por vënë kalin para karrocës dhe janë në rregull dhe përsa kohë që do të bëjnë këtë, do të bëjnë gjënë e duhur për komunitetin e tyre dhe pastaj bindjet e tyre janë punët e tyre dhe jo tonat. Ne do të bëjmë çmos që t’i afrojmë dhe bindjet, nuk diskutohet”, tha Rama.


Miratimi i ligjit për zonat e mbrojtura, Rama: Askush s’na jep dot leksione për qasjen ndaj mjedisit

Kryeministri Edi Rama pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë dhe kryebashkiakëve në Shkodër, foli edhe për miratimin e ligjit për zonat e mbrojtura. Rama u shpreh se nuk mund t’ju jap askush leksione për qasjen ndaj mjedisit.

Rama theksoi se synimi tani është që mos t’i kushtohet rëndësi numrit të turistëve, por të ardhurave që sjell çdo turistë.

Edi Rama: Çfarë është bërë në Shqipëri këto 10 vite për t’i pastruar Shqipërisë fytyrën më bën që unë të them që askush nuk ka gojë që të na japi neve leksione për qasjen ndaj mjedisin, trashëgimisë kulturore ndaj të bukurës, shijes europiane dhe ndaj pastrimit të Shqipërisë ndaj çdo aspekt. Çështja është shumë e thjeshtë. Ne jemi përpara një sfide që është sfida e shekullit nga pikëpamja e politikës se çfarë do të bëjmë ne me turizmin. Numri i madh i turistëve është e mirë në një anë dhe e rrezikshme nga ana tjetër. Vendet që kanë kuptuar që duhet të mos synojnë rritjen e numrave, por të synojnë rritjen e të ardhurave nga numrat, pra jo sa turistë sjell po sa sjell çdo turistë kanë investuar me një shpejtësi të arsyeshme tek cilësia e lartë, infrastruktura e mikëpritjes që sjell turistë që kosumojnë shumë dhe jo turistë me çantë me vete.

Për këtë duhet të kuptojmë ne nuk kemi mundësi të pafundme dhe eksperiencat kanë treguar se mes mbrojtjes dhe zhvillimit nëse është e duhura është sukses. Në këtë pikë meraku im nuk është se a dimë ne ta menaxhojmë këtë proces, por sa do arrijmë ne të krijojmë një profil institucional të Shqipërisë. Kjo nuk duhet të jetë cështja e një qeverie apo një kryeministri. Në këtë aspekt kjo është arsyeja pse e quaj të pambyllur ciklin tonë qeverisës dhe pse ne duhet të bëjmë çmos që të garantojmë këtë progres. Ajo çfarë synojmë nuk ka lidhje me shkatërrime, por vetëm me livlersime të këtyre destinacioneve dhe plus të ardhura që i krijojnë mundësi shtetit që të mirëmbajë ato zona të cilat janë në kufijtë e atyre pikave ku mund të bëhen zhvillime të caktuara.


“Shkodra will be great again”, Rama për projektet në kryeqendrën e veriut: Nëse unë e them, ajo bëhet


/tvklan.al