Ish-kryeministri britanik David Cameron, aktualisht Sekretar Shteti për Çështjet e Jashtme në qeverinë e kryeministrit Rishi Sunak, pritet të vizitojë Tiranën në 22 Maj. Cameron do të pritet rreth orës 11:00 të paradites nga ministri i Punëve të Jashtme Igli Hasani, në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

Rreth orës 12:00 është parashikuar pritja dhe takimi me kreun e qeverisë shqiptare Edi Rama në kryeministri, ku më pas do të zhvillojnë së bashku edhe një konferencë për mediat. Në këtë vizitë 1 ditore, Sekretari Britanik do të takojë edhe kreun e shtetit Bajram Begaj, në orën 14:30.

Sipas ambasadës britanike në Tiranë, kryediplomati Cameron do të shpallë një program të ri për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri. Ai ka në plan për të deklaruar edhe një goditje të re ndaj bandave të organizuara kriminale që qëndrojnë pas rrjeteve të kontrabandës me shqiptarët që ende vijojnë të synojnë kalimin illegal drejt Britanisë së Madhe, thuhet ndër të tjera në njoftimin e ambasadës.

Kjo vizitë vjen pak ditë pas një telefonate që kryeministri Edi Rama zhvilloi me homologun britanik Sunak. Në njoftimin zyrtar të qeverisë britanike, thuhej se dy kryeministrat diskutuan mbi marrëdhëniet e ngushta mes dy qeverive, duke vënë në dukje bashkëpunimin e rëndësishëm dypalësh, përfshirë tregtinë dhe investimet.

Sa i takon emigrantëve, të dyja palët nënshkruan në muajin dhjetor 2022 marrëveshjen për të përshpejtuar riatdhesimin e shtetasve shqiptarë që ndodhen ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.

Klan News