Në fjalimin e tij të fitores, Edi Rama i kushtoi një falenderim të veçantë shqiptarëve për përkrahjen e tyre. Ky falenderim u ndoq nga një zotim i kryeministrit për t’iu gjendur pranë atyre, siç bënë ata me të kur ai pati më shumë nevojë.

“Juve që jeni këtu me mua sot, juve që na ndiqni nga ekranet, Shqipëri, Kosovë apo emigracion dhe gjithë ju të tjerëve, shqiptarë e shqiptare që s’jeni të lidhur direkt me ne tani, por që ishit me mua dhe për mua aty ku më shumë kishte rëndësi, përpara kutisë së votimit, të Dielën e fitores sonë të përbashkët. Siç ishit ju aty për mua, ditën që iu thirra për votën, do të jem unë aty për ju ku do të duhem, kurdo që do të duhem, në çdo ditë e natë të katër viteve në vijim.”

Rama i kushtoi një falenderim të veçantë bashkëshortes së tij, Linda Rama, duke e konsideruar atë “opozitën që nuk e mund dot’.

“Një falenderim të veçantë për gjysmën time më të mirë dhe të vetmen opozitë që nuk e mund dot, por kënaqem kur kam barazimin, Linda Ramën, mamanë e palodhur të Zahos, nënën krenare të Reas dhe shoqen besnike të Gregut. Linda është guri që na mbledh, burimi që na ushqen dhe drita që na energjizon ne të katërve. Grua, shumë faleminderit! Faleminderit edhe Reas dhe Gregut që nuk na shkaktoni asnjë dhimbje koke, që nuk keni asnjë lidhje me fodullëkun dhe me llastimin dhe që asnjëherë nuk i keni bezdisur apo nxehur njerëzit si disa fëmijë kryeministrash lart e poshtë, këtu e gjetkë, me mënyrën tuaj të jetesës. Jam shumë krenar për të dy ju dhe uroj t’iu bëj krenar gjithnjë, me punën time sot dhe me ndihmën e Zotit dhe me gjurmën e punës time nesër.

Ndërsa për më të voglin, Zahon, kryeministri me humor tha se ai nuk ndodhej në shesh sepse “nuk arrin dot të pajtohet me faktin që unë i mora të gjitha votat, kurse ai s’mori asnjë votë megjithëse bëri fushatë në Vlorë.”

Tani, le të mbetet këtu mes nesh, këtu me miq që jemi në shesh, por Zaho nuk erdhi se është pak i mërzitur. Zaho nuk arrin dot të pajtohet me faktin që unë i mora të gjitha votat, kurse ai s’mori asnjë votë megjithëse bëri fushatë në Vlorë. Tani është detyra e familjes tonë t’ia mësojmë me durim pse s’duhet të mërzitet nga kjo puna e votave. Por përtej shakasë, është detyra jonë, e familjes sonë të madhe socialiste progresiste dhe e imja personalisht në radhë të parë, që me fjalët dhe me sjelljen tonë të mos i bëjmë të ndjehen edhe më keq se ç’ndjehen natyrshëm nga humbja e thellë, rivalët tanë demokratë.”/tvklan.al