Pas raportit të Organizatës Freedom House, e cila për Shqipërinë doli në përfundim se shënoi rënie në qeverisjen demokratike dhe procesin zgjedhor, ka reaguar kreu i shtetit Ilir Meta dhe kreu i PD Lulzim Basha.

Meta shprehet i shqetësuar nga konkluzionet e raportit të organizatës.

“Përkeqësimi i treguesve për nivelin e demokracisë, rënia ne qeverisje dhe proces zgjedhor kërkon një reflektim dhe përgjigje nga të gjithë. Konkluzioni në raport se: “Nga Tirana në Tbilisi, ata që janë në pushtet, nuk janë të interesuar që ta bëjnë parlamentin një vend ku diskutohet” është një këmbanë e fortë alarmi. Është koha për një ringritje të menjëhershme dhe për një trajektore të re të demokracisë, shtetit ligjor dhe respektimit të të drejtave të njeriut, me qëllim përmbushjen sa më parë të kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian, me qëllim integrimin e plotë të vendit pa zvarritje të mëtejshme”, thotë Meta.

Nga ana tjetër edhe kryetari Basha thotë se duhet t’u kthehen njerëzve institucionet, t’ua qeverisjen e përgjegjshme dhe të rivendosen standardet demokratike në vend.

“Bashkë me maskat e skaduara të qeverisë, ka rënë edhe maska e skaduar e demokracisë fasadë në Shqipëri. Freedom House arrin në këtë konkluzion në raportin e saj të fundit që tregon se vendi ynë ka berë hapa prapa ne nivelin e demokracisë në vend: rënie në fushën e qeverisjes demokratike dhe procesit zgjedhor, vlerësim negativ për pavarësinë e gjyqësorit dhe për lirinë e mediave. Gjithashtu, ishte zhbërja e institucionit të parlamentit nga qeveria dhe maxhoranca që e detyruan opozitën të largohet nga institucioni.

Të gjithë e shikojmë sot në kohën e pandemisë dhe krizës ekonomike sa të vërteta janë këto raporte ndërkombëtare për dështimet e qeverisë. Sepse institucionet e shtetit shqiptar nuk punojnë më për njerëzit, ato punojnë për një grup në pushtet që vjedh pasuritë publike, që gënjen dhe mashtron, dhe që i braktisi njerëzit gjatë pandemisë kur ata kishin më shumë nevojë se kurre për shtetin.

Ne duhet t’ua kthejmë institucionet njerëzve, t’ua kthejmë qeverisjen e përgjegjshme njerëzve dhe të rivendosim standartet demokratike në vend. Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm!”

Në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është niveli më i ulët i demokracisë është 7 më i larti, Shqipëria nga 3.89 pikë që kishte një vit më herët, këtë radhë kishte 3.82 pikë.

“Kjo kishte të bënte me një numër faktorësh, përfshirë bojkotimin e opozitës dhe konfliktin politik rreth zgjedhjeve që i la votuesit pa një zgjedhje të vërtetë përsa i takon votës”, thotë ndër të tjera analisti Smeltzer. /tvklan.al