Komisioni Europian ka rekomanduar çeljen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në raport evidentohet se Shqipëria ka avancuar në axhendën e saj europian, por vihet re një polarizim theksuar në skenën politike.

“Polarizimi i fortë vazhdoi në sferën politike. Aktiviteti parlamentar u prek nga një bojkot i zgjatur i partive opozitare, të cilat më pas hoqën dorë nga mandatet e tyre parlamentare në Shkurt 2019. Shumica e partive opozitare vendosën që të mos regjistrohen për zgjedhjet e 30 Qershorit 2019. Mos angazhimi i partive kryesore të opozitës ka ndikuar negativisht në komisionin bipartizan të reformës zgjedhore, pavarësisht nga përpjekjet e shumicës për të ecur përpara”, thekson raporti.

Në dokument evidentohet edhe ecuria e reformës në drejtësi, megjithatë korrupsioni mbetet një çështje shqetësuese.

Zbatimi i reformës gjithëpërfshirëse në drejtësi ka vazhduar me progres të mirë. Janë themeluar institucionet e reja për vetëqeverisjen e gjyqësorit, duke përfaqësuar një hap vendimtar për forcimin e pavarësisë dhe llogaridhënies së gjyqësorit. Vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve ka dhënë rezultate të prekshme. Më shumë se 140 dosje janë përpunuar, duke rezultuar me 88 shkarkime/dorëheqje dhe 53 konfirmime në detyrë. Shumica e shkarkimeve kanë të bëjnë me pasuritë e pajustifikuara. Këto rezultate konkrete dhe të besueshme kanë forcuar ndjeshëm pavarësinë, paanshmërinë, profesionalizmin dhe llogaridhënien e gjyqësorit. Korrupsioni është mbizotërues në shumë fusha dhe mbetet një çështje shqetësuese. Shqipëria ka shënuar përmirësim në luftën kundër krimit të organizuar. Operacionet e policisë për të goditur organizatat kriminale janë intensifikuar”.

Kliko – Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë 2019

/tvklan.al