Kryeministri Edi Rama duke cituar raportin e The Economist për indeksin e demokracisë tha se Shqipëria ka shënuar për herë të parë rritje.

Sipas Ramës, vendi ka dalë nga regjimi hibrid dhe është futur në të njëjtën klasë me SHBA-në dhe BE-në.

“Indeksi i demokracisë nga njësia e inteligjencës së The Economist, Shqipëria për herë të parë pas 3 dekadash ka një rritje dhe praktikisht një kapërcim. Ka dalë nga kategoria regjim hibrid. Në 2006 Shqipëria ka figuruar për herë të parë në renditjen e The Economist dhe deri në 2013 trendi i indeksit ka qenë në rënie të vazhdueshme. Vetëm në vitin 2013 ka nisur një rritje. Vetëm viti 2020 ka zënë pak ose aspak vend në pasqyrat e kanaleve sepse ato janë për amplifikimin e lajmeve te këqija, është një vlerësim që shënon arritjen më të lartë deri tani, sjell kalimin në një kategori tjetër. Jemi futur në të njëjtën klasë, me SHBA dhe BE, ndërsa vende të tjera të rajonit renditen ende te kategoria hibride. Shqipëria futet me vendet e BE në një demokraci më të zhvilluar. Kjo nuk është për të thënë se jemi më të mirë se ata, sepse nuk jemi. Por duke qenë se vijmë nga mëposhtë edhe përmirësimi i indeksit të demokracisë na bën më të paktët që kemi arritur përmirësim. Çmontimi i formulës së vjetër të koalicioneve dhe standardizimi si në çdo vend të OSBE ka hyrë në një klasë tjetër, edhe në këtë aspekt. Ajo reforma që u tha dhe u stërtha që ishte një mënyrë për të kapur edhe zgjedhjet dhe për të linçuar grupimet kundërshtare me regjimin, faktikisht ka garantuar kalimin në një stad tjetër. Ajo reformë ka bërë që të respektohet adresa e votës. Fakti që Shqipëria pati fatkeqësinë e madhe të dyfishtë të përballimit të jo vetëm pandemisë, por edhe tërmetin e rrit edhe më shumë në sytë e mi vlerën e këtij vlerësimi. Në kohë krizash dhe kaq të thella ruajtja e mekanizmave që mbrojnë liritë dhe të drejtat plus përkrah paralelisht me marrjen e masave kufizuese bëhet edhe më i vështirë dhe dëmet e mëdha të shkaktuara në njerëz dhe në burime financiare nga tërmeti dhe pandemia, impaktojnë jo thjeshtë ekonominë, por mund të kenë asaj në sistemin demokratik”, tha Rama.

Rama: Nuk do të rrisim taksat, paga minimale do të rritet çdo vit

Kryeministri Edi Rama u shpreh në Shqipëri nuk do të rriten taksat, por përkundrazi ato janë zeruar për bizneset e vogla. Ai tha se paga minimale do të vijë në rritje çdo vit.

Sipas Ramës, vendi ka hyrë në një proces zhvillimi, por ka nevojë për kohën e vet që të kalojë sfidat dhe të fuqizohet.

“Ne nuk kemi taksa për të rritur dhe flasim për një vend që ka bërë zero taksën mbi biznesin e vogël, ka bërë zero mbi TVSH dhe ka zeruar taksimin për biznesin në 140 mijë Dollarë xhiro në vit. Flasim për një sistem që kush fiton më pak paguan më pak, kush punon më shumë paguan më shumë, kush punon më shumë merr më shumë dhe kjo është ajo që duhet të arrijmë. Kemi hyrë me një pagë minimale 300 mijë lekë, por nuk bëhet fjalë që të marrim nga ata që marrin pagë minimale. Zgjerimi i bazës do të bëjë që paga minimale të shkojë duke u rritur çdo vit në vitet e ardhshme. Vendi ka hyrë në një proces zhvillimi që përshpejtohet. Duhet të  kuptojmë që një bebe nuk bëhet 10 vjeç që vitin e parë. Ka nevojë që gjithë ky organizëm të marrë kohën e vet, të kalojë sfidat e veta, sëmundjet dhe të fuqizohet”, tha Rama.

“Në një gjykatë të vendit po kryhet krim”, Rama: Gjykatësit dhe prokurorët që nuk kalojnë Vettingun do të japin llogari

Kryeministri Edi Rama theksoi se është i sigurtë që në gjykatat e Shqipërisë po kryhet një krim nga gjykatësit dhe prokurorët.

Kreu i qeverisë u shpreh se gjyqtarët dhe prokurorët që nuk kanë kaluar Vettingun do të dalin përpara drejtësisë së re për të dhënë llogari.

“Dikush këtu më shkruan: Ma shpjegon dot çfarë bënë Vjola Cani më e korruptuara në Vlorë që po bën kërdinë? Nuk e di kush është Vjola Cani, i kërkoj ndjesë për nxjerrjen e emrit, por që ka sot, tani që flasim, ne po flasim dhe po bëhet një krim në një gjykatë të vendit.

Ju siguroj tani në këtë moment që në një gjykatë të vendit po kryhet një krim. Mund të jetë një dy tre pesë, por kryehen krime nga gjykatës që e dinë që nuk do i shpëtojnë Vettingut, ose mendojnë se do ti shpëtojnë drejtësisë. Sistemi nuk është ende i pastruar. Institucionet e reja, kanë filluar të strukturojnë punë e tyre. Këtu një ndërtim pa leje bën dhe të duhen vite. Jo të ngresh një shtet me ligje. Drejtësia e re do të fillojë të funksionojë siç e duam unë dhe të gjithë. Dhe do të jetë e prekshme, kur pas pastrimit të fillojë goditja e këtyre gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar që kanë dalë llum nga vettingu dhe duhet t’i thërrasë drejtësia dhe të thotë hajde këtu se duhet të shpjegosh çfarë janë këto”, tha Rama.

Rama: Vetëm në gjumin e Bashës ulet prodhimi i qumështit për të rritur prodhimin e djathit

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj këtë të enjte pyetjeve nga rrjetet sociale të qytetarëve për disa çështje të ndryshme.

Në fund ai nuk la pas ironitë me kundërshtarin e tij politik, Lulzim Basha. Rama e krahasoi programin ekonomik të selisë blu me uljen e prodhimit të qumështit për të rritur prodhimin e djathit.

Kjo për kryetarin e qeverisë ndodh vetëm në “në gjumin e Lulit”.

“Në përfundim dua të them që ka shumë arsye për të qenë të pakënaqur. Unë kam shumë arsye për të qenë i pakënaqur sepse mundësitë janë për më shumë, dhe fuqitë janë për shumë më shumë. Nuk ka asnjë arsye për tu ndalur, për të bërë pushim. Ka shumë arsye për të qenë i pakënaqur, por për të vijuar punën. Formula magjike nuk ka. Kur flas për formula magjike dua t’ju ilustroj një që është interesante, që është plot ndër formulat magjike nga miku im i fjetur, Lulzim Basha. Do të ulim sigurimet shoqërore dhe do rrisim pensionet. Pensionet financohen sigurimet shoqërore. Sot Shqipëria ka një deficit të trashëguar sepse paguan më shumë pensione se sa mbledh. A mund të ndodhë që të ulësh prodhimin e qumështit dhe të rrisësh prodhimin e djathit? Po që të jetë djathë, jo të jetë kubik prej niseshteje. Nuk ndodh! Po, ndodh në gjumin e Lulit dhe të gjithë atyre që duan t’i bien shkurt siç i ka rënë opozita sa herë ka pasur çelësat në dorë, prandaj Shqipërisë i ka dalë më gjatë. Nëse do të ishin bërë këto 27 vite më parë sot të flisnim për gjëra të tjera, por i kanë rënë shkurt herë me Suden here me Saliun i kanë rënë shkurt, dhe ka më shkurt se sa me Lulin dhe prandaj po iu del gjatë. Nëse kanë zgjedhë rrugën e tyre të gjatë për ti rënë shkurt, nuk mund t’ia bëjnë rrugën e gjatë Shqipërisë“, tha Rama./tvklan.al