Dënimet e Erik dhe Lyle Menendez të cilët u burgosën më shumë se tre dekada më parë për vrasjen e prindërve të tyre, do të shqyrtohen. Vëllezërit qëlluan Jose dhe Kitty Menendez në vilën e tyre në Beverly Hills në 1989 me prokurorët që kanë thënë se qëllimi i tyre ishte të trashëgonin pasurinë e të atit.

Të enjten, prokurori George Gascon tha se ka një detyrim moral dhe etik për të rishikuar provat e dorëzuara nga dy vëllezërit vitin e kaluar, të cilët pretendojnë se janë abuzuar seksualisht nga babai i tyre dhe kanë vepruar në vetëmbrojtje.

Për këtë çështje ka pasur një rritje të interesit pasi në Shtator në lidhje me këtë histori është publikuar një serial në Netflix.

Gjatë gjyqit, prokurorët thanë se vrasjet ishin të motivuara nga zilia. Ata thanë se vëllezërit i shpenzuan shumicën e pasurive të trashëguara në ora Rolex, makina dhe prona luksoze, përpara se të bëheshin të dyshuar.

Këto akuza për shpenzime të mëdha e bënë çështjen shumë të njohur në SHBA teksa gjyqi u transmetua gjerësisht në televizion. Në fund të gjyqit të parë vëllezërit Menendez parashtruan akuza për abuzim në disa vite.

Në një gjyq të dytë, shumica e pretendimeve për abuzim qëndruan, por vëllezërit u shpallën fajtorë dhe u dënuan me burgim të përjetshëm pa të drejtë lirie me kusht në vitin 1996.

Lyle Menendez ishte 21 vjeç ndërsa Erik Menedez 18 vjeç në kohën kur vranë prindërit. Provat e reja të dorëzuara nga ata përfshijnë një letër të vitit 1988 ku Erik ia dërgon kushëririt të tij dhe flet për abuzimet e të atit.

“Asnjë nga këto informacione nuk është konfirmuar. Nuk jemi në gjendje të themi, të paktën në këtë moment, nëse e besojmë apo jo këtë informacion. Por jemi këtu t’ju themi se kemi një detyrim etik dhe moral për të shqyrtuar çfarë po na paraqitet”, tha Gascon.

Prokurori tha se shqyrtimi mund të çojë në një gjyq të ri ose një ridënim të vëllezërve. Mediat shkruajnë se është parashikuar një seancë dëgjimore në 26 Nëntor.

Prokurori u shpreh se zyra e tij ka marrë një fluks telefonatash pas publikimit të serialit në Netflix.

Kjo ka shkaktuar polemika pasi të afërmit e familjes Menendez janë shprehur se dy vëllezërit janë viktimizuar. Ndërsa krijuesi i serialit mbrojti mënyrën si është transmetuar historia dhe e përshkroi reagimin negativ të familjes si të parashikueshëm.

Të enjten, edhe Kim Kardashian mbështeti vëllezërit.

“Ata nuk janë monstra. Ata janë të sjellshëm, inteligjentë dhe burra të ndershëm”, tha ajo në një artikull për amerikanen NBC News./tvklan.al