Komisioni Europian mori mbështetje të mjaftueshme nga vendet anëtare për të vendosur tarifa deri në 45% mbi importet e automjeteve elektrike të prodhuara në Kinë. Kjo përplasje tregtare me një partner të rëndësishëm rrezikon të prodhojë hakmarrjen e Pekinit.

Komisioni, i sheh si të padrejta subvencionet kineze pas një hetimi njëvjeçar.

“Ne nuk duam dhe asnjëherë nuk kemi dashur të vendosim tarifa, për hir të tarifave. Ajo që duam, është në fakt të heqim subvencionet dëmtuese…që janë të detajuara me kujdes, në pajtim me OBT-në dhe të identifikuara plotësisht në hetim.”

Por votimi i vendeve anëtare shfaqi përçarje të thellë, sidomos mes fuqive kryesore ekonomike të bllokut, Francës e Gjermanisë. Gjatë votimit të premten, 10 anëtarë të BE-së mbështetën tarifat dhe pesë votuan kundër, 12 abstenuan.

Numri i lartë i abstenimeve pasqyron shqetësimet e kahershme për mënyrën se si Europa duhet t’i përgjigjet Kinës. Edhe pse konsensusi politik thotë se praktikat e padrejta tregtare të Pekinit meritojnë një përgjigje të fortë dhe të bashkuar, frika nga hakmarrja tregtare e Pekinit duket se ka zbehur vendosmërinë e shumë kryeqyteteve. Do të duhej kundërshtimi nga një shumicë e cilësuar prej 15 anëtarësh të BE-së, që përfaqësojnë 65% të popullsisë së BE-së, për të bllokuar propozimin.

Burimet thanë se votën pro e dha Franca, Greqia, Italia dhe Polonia. Ekonomia më e madhe e bllokut dhe prodhuesi kryesor i makinave, Gjermania, votoi kundër propozimit, thanë burimet.

Klan News