Një grua shtatzënë zbuloi se fëmija që priste nuk ishte i vetmi që po rritej brenda barkut të saj. Eve Lincoln nga Hudson Valley në Nju Jork zbuloi se foshnja po ndante hapësirën e tij me një kist me madhësi sa një pjepër dhe hormonet e saj po i ushqenin të dy.

Kur ajo ishte 7-javëshe shtatzënë me fëmijën e tretë, një analizë ultrazanore tregoi një kist të vogël në vezoren e djathtë por nuk kishte një arsye të fortë për t’u shqetësuar, raporton “New York Post”.

Mjekët ishin kundër ndërhyrjes për të hequr kistin sepse mund të rrezikonte fëmijën dhe nuk ishte e nevojshme në atë moment. Por hormonet e shtatzënisë nisën të ushqenin kistin në javët në vazhdim dhe barku i saj u bë më i madh e i rrumbullakët se sa normalja.

Nisa të shqetësohesha sepse me kohën, nisi të rritej. Shkoi nga 9 në thuajse 13 centimetra, por ata thanë nuk rekomandojmë ndërhyrje gjatë shtatzënisë ndaj do ta kryesh 6 javë pas lindjes së fëmijës”, tha Lincoln.

Ajo shton se mjekët i thanë se nëse ajo do përjetonte dhimbje të forta, ata do të merreshin me gjendjen e saj por nuk mendoi se situata do të arrinte deri aty. 36-vjeçarja pati dhimbje therëse në pjesën anësore të barkut në javën e 23-të të shtatzënisë.

Pas 24 orës që dhimbja nuk largohej, Lincoln telefonoi mjekun e saj dhe të nesërmen bëri një analizë ultrazanore ku tregoi se kisti ishte rritur në 17 centimetra brenda një jave. “U bë aq i madh sa dukej si një qese tjetër ku rrinte bebi, por dallohej që nuk kishte asgjë brenda saj”, tha ajo.

Mjekët e lajmëruan se kisti peshonte thuajse 2 kilogramë ndërsa fëmija më pak se 1. Analizat e tjera që provonin se kisti nuk ishte kancerogjen treguan që ishte i mbushur me gjak e lëngje ndaj Lincoln iu drejtua një specialisti për të hequr masën.

Ishte shumë e frikshme kur më shpjeguan rrezikun ndaj fëmijës kur bën një operacion sepse mund të nxisë  lindjen ose të shqetësojë foshnjen”. Lincoln qëndroi zgjuar gjatë ndërhyrjes dhe përdori vetëm anestezi lokale për të reduktuar dëmet ndaj foshnjes.

Si nëna dhe fëmija dolën shëndoshë e mirë nga operacioni i cili zgjati dy orë. Përpara tij, Lincoln firmosi dokumente ku thuhej se ajo ishte në dijeni se diçka mund të shkonte keq me fëmijën nëse lindte 24-javëshe.

Aktualisht, Lincoln është në javën e 26-të të shtatzënisë dhe është në pritje të përgjigjes përfundimtare të analizave se kisti ishte tërësisht beninj përpara se të quhet tërësisht e pastër./tvklan.al