Fituesit e Ligës së Kampioneve dhe ata të Ligës së Europës do të ndeshen në Helsinki për Superkupën europiane

Real Madridi është gati për finalen e Superkupës europiane kundër Eintraht Frankfurtit.

Fituesit e Ligës së Kampioneve dhe ata të Ligës së Europës do të përballen në mbrëmjen e së mërkurës në Helsinki për trofeun e rëndësishëm në stadiumin “Olimpik”.

Kjo ndeshje do të jetë e veçantë, pasi do të përdoret teknologjia VAR edhe për rastet e pozicionit jashtë loje.

Kjo është finalja e tetë e Realit në këkë kompeticion, ndërsa e ka ngritur trofeun katër herë. Trajneri i “Galaktikëve”,  Karlo Ançeloti nuk ka humbur asnjë herë një finale të Superkupës europiane. Ai e ka fituar dy herë me Milanin në 2003 dhe 2007, e një herë me Realin në 2014.

Eintracht Frankfurt vazhdon përgatitjet për finalen e Superkupës UEFA. Atmosfera është e mirë te fituesit e Europa Ligës, të cilët kanë marrë udhëzimet e fundit nga trajneri Oliver Glasner.

Sulmuesi i krahut Filip Kostiç nuk do të luajë këtë ndeshje, pasi ai do të transferohet te Juventusi. Ndërsa gjendja në pjesën tjetër të grupit është e mirë.

Ekipi gjerman synon që të hakmerret ndaj “Galaktikëve” për humbjen e pësuar më 18 Maj të 1960-ës, ku u mundën në finalen e Kupës Europiane në “Hampden Park” 7-3. Eintrahti ka lënë pas zhgënjimin ndaj Bajern Mynihut 6-1 në sfidën e parë të sezonit në Bundesliga, e kërkon të befasojë madrilenët.

Klan News